Incidenti mes dy aeroplanëve, u fsheh faji​ – aeroplanët për pak sa nuk u përplasën mbi qiellin e Kosovës

Lajme

Incidenti mes dy aeroplanëve, u fsheh faji​ – aeroplanët për pak sa nuk u përplasën mbi qiellin e Kosovës

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Një hetim i gjerë nisi menjëherë pas raportimit, ku u përfshinë të gjitha institucionet që merren me menaxhimin dhe kontrollimin e hapësirës ajrore të ulët të Kosovës.

Hetimet e këtij rasti janë në fazën përfundimtare dhe Kiks Kosova ka arritur të ketë një qasje të plotë në të gjitha dokumentet hetimore të incidentit të 24 shkurtit, i cili ndodhi kryekëput për shkak të gabimeve njerëzore dhe papërgjegjësisë në menaxhimin e kullës në Prishtinë.

Raportet vënë në pah se si në ditën kritike më 24 shkurt të këtij viti, në njësinë ku menaxhohet radari që monitoron hapësirën e ultë ajrore dhe koordinon punën e fluturakeve, në punë ishin vetëm dy kontrollorë.

Ani pse në bazë të procedurave standarde kërkohet që në këtë bazë radari të jenë 3 kontrollorë, përveç dy prej të cilëve merren me koordinimin e fluturakeve dhe shërbimeve te navigimit me shtete fqinje, duhet të jetë edhe një kontrollor i tretë, i cili është në rolin e mbikëqyrësit.

Por çfarë kishte ndodhur në të vërtetë në ditën kritike dhe si u mundua Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror të Kosovës që ta kamuflojë rastin?

Raportin preliminar për hetimin e incidentit, i cili e mban datën e 4 marsit 2023, i hartuar vetëm 8 ditë pas aksidentit, e të cilin e ka siguruar Kiks Kosova, u ndërtua vetëm në intervistat e dy kontrollorëve të përfshirë në incident. Në këtë raport nuk u përmend fare kontrollori i tretë, i cili përveç të tjerave, ka rolin kryesor për të parandaluar incidentet e pas ndodhisë, për faktin se duhet të marrë në menaxhim kullën e radarit.

Gjatë intervistave, të dy kontrollorët A.Sh. dhe F.L. dhanë versionet e tyre, duke mos përmendur fare prezencën e mbikëqyrësit të tyre, i cili sipas informacioneve të brendshme, nuk kishte ardhur fare në vendin e tij të punës. Raporti preliminar zbulon të meta të mëdha në këtë institucion, i cili është jetik për sigurinë ajrore të Kosovës. Por pavarësisht të gjithave, kontrollorët nuk pranuan dështimin e tyre, ata u munduan ta hedhin fajin diku tjetër.

Është interesant se ky raport e hedh fajin te koordinatat e dhëna nga Autoritetet e Aviacionit të Shqipërisë, e poashtu një pjesë e fajit u mundua të bijë edhe mbi pilotin e linjës se fluturimit të GP Aviation, me pretendimin se nuk u është përgjigjur thirrjeve të kontrollorëve kosovarë kur u munduan ta lajmëronin për mundësinë e përplasjes.

Në fund të raportit theksohet se grupi hetimor, bazuar në të dhënat e shqyrtuara deri në hartimin e këtij raporti paraprak, vlerëson se gabimi njerëzor mund të ketë qenë një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në incidentin e 24 shkurtit, kur u rrezikuan jetët e rreth 300 pasagjerëve.

Sidoqoftë, në raportet e mëvonshme kontrollorët u njoftuan për gjendjen faktike nga një telefonatë që erdhi nga “Alb Kontrolli i Shqipërisë”, të cilët alarmuan kolegët nga Kosova se diçka nuk ishte në rregull me aeroplanët e linjës “GP Aviation” nga Bullgaria dhe “Trade Air” nga Kroacia.

Të gjendur nën habi para këtij fakti, kontrollorët që nuk kishin vërejtur se aeroplanët po ecnin në trajektore të njëjtë, u vonuan dhe nuk reaguan. Por, aksidenti fatmirësisht u shmang falë sistemit të radarit brenda aeroplanit, TCAS, i cili aktivizohet vetëm në rastin kur aeroplanët shkojnë drejt përplasjes.

Kulla e radarit i dha koordinatat e gabuara, aeroplanët për pak sa nuk u përplasen

Historia e incidentit të 24 shkurtit, kur aeroplanët e linjës “GP Aviation” nga Bullgaria dhe “Trade Air” nga Kroacia iu shmangen një katastrofe falë sistemit të radarit TCAS, ndryshon nga njëri raport te tjetri.

Bazuar në dosjen e plotë të hetimit mbi këtë incident, të cilën e ka siguruar Kiks Kosova, i vetmi fakt që nuk ndryshon është ai që incidenti u shkaktua nga faktori njëri, të tjerat, përfshirë edhe deklaratat e dy kontrollorëve A.Sh. dhe F.L., ndryshuan.

Autoriteti i Aviacionit Civili dhe Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, kur nisen hetimet, kërkuan nga Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror sqarime shtesë për incidentin dhe bashkë më to edhe audio-incizimet që lidheshin më incidentin.

Të gjendur në zgrip dhe përballë kërkesës për qasje të plotë në të gjithë sistemin, ASHNA, për ditë të tera, refuzoi të jepte qasje në këto audioicizime të kërkuara nga drejtori i AAC dhe KAHIA-s.

Të dy autoritetet ishin te vendosura qe te hetonin incidentin dhe te kishin qasje ne te gjitha faktet, për çka ia bënë me dije Shërbimit te Navigimit Ajror, se në rast se nuk do të ofronte këtë qasje në mënyrë vullnetare, atëherë ato do të kërkonin ndihmën e organeve të ndjekjes për të siguruar dokumentacionin e kërkuar.

Në këtë situatë, ASHNA përpiloi një raport te dyte, kësaj radhe të faktuar ne audio incizime dhe faktet relevante, te cilat dallonin nga raporti paraprak.

Në raportin e dyte te datës 28 mars, Agjencia e Shërbimit te Navigimit Ajror e ndërroi tërësisht historinë.

Në këtë raport, u bë i gjallë edhe kontrollori i tretë, i cili në raportin e parë nuk u përmend fare. Raporti u ndërtua jo vetëm në rrëfimet e tre kontrollorëve, por aty u përfshinë edhe të dhënat nga komunikimi më pilotët, regjistrimet e radarit dhe komunikimi me Air Kontrollin.

Në intervistën e tij para inspektorëve të Aviacionit, kontrollori i tretë pranon se në momentin kritik nuk ishte në vendin e tij te punës.

Gjatë intervistës se tij, ai ka theksuar se gjatë kohës së incidentit ka qenë në drekë dhe sapo është informuar për incidentin ka marrë kontrollin në duar, duke i liruar nga detyra të dy kolegët e tij.

Pavarësisht kësaj, kontrollori i parë dhe i dyti kishin deklaruar se nuk ishin në dijeni se kontrollori i 3 ishte mbikëqyrës i tyre, për më tepër ata deklaruan se kanë menduar se kontrollori i parë ishte mbikëqyrës i turnit.

Por është e çuditshme se si ndërron raporti i parë nga i dyti, nga përmbajtja e intervistave të dhëna nga 2 kontrollorët.

Derisa në raportin preliminar kontrollorët thanë se piloti i GP Aviation nuk u ishte përgjigjur thirrjeve të tyre, në raportin e dytë, të hartuar 25 ditë pas incidentit, kontrollorët e fajësuan Qeverinë e Kosovës.

Gjatë pyetjeve nëse ata kanë qenë të shqetësuar për ndonjë arsye, ata njëzëri dhanë një përgjigje, që ishin të stresuar për faktin se Qeveria e Kosovës po tentonte që t’ua ulte pagat e tyre, të cilat nisin nga 1 mijë e 900 euro e shkojnë deri në 2,500.

Tjetër arsyetim që ata dhanë për faktin se nuk arritën të menaxhonin situatën, e cila për pak sa nuk përfundoi me fatalitet, ishin edhe problemet shëndetësore. Kontrollori i parë tha se kishte problem me moshën e tij, derisa kontrollori i dytë tha se ishte i stresuar, pasi do t’i nënshtrohej një operacioni në gju.

Si përfundim, raporti i dytë mbi incidentin e 24 shkurtit nxori një mori defektesh brenda Kullës së kontrollit të radarëve në ASHNA.

Aty u theksua se ekipi hetimor, pasi analizoi të gjitha komunikimet mes kontrollorëve dhe pilotit, koordinimin e telefonatave, regjistrat e radarit dhe intervistat e te përfshirëve në incident, konkludon se gabimi njerëzor ishte një nga faktorët kryesorë që kontribuoi në incidentin ku u përfshinë dy fluturaket.

Derisa konkludoi se faktorë direkt që ndikoi në këtë ndodhi ishte edhe fakti se kontrollori i pare koordinoi në të njëjtën kohë i vetëm trafikun, shënimi i shiritave nuk ishte në përputhje me standardet e lejuara, gjatë dorëzimit dhe marrjes së detyrave informacioni i pasaktë u kalua nga kontrollori 1 tek i dyti dhe marrja e tij nuk u krye siç kërkohej.

E po ashtu raporti thotë se kishte mungesë të rrjeteve të sigurisë.

Si faktor indirekt raporti përmend edhe problemet e shumta në dështimin e pajisjeve dhe veçanërisht në rifillimin e radarëve. Si dhe konkludohet se frika se ligji i pagave do të zvogëlonte rrogat e tyre ndikoi në rritjen e stresit te kontrollorët.

Dëshmi të reja nga incidenti mes dy aeroplanëve: Kontrollori i tretë erdhi në punë 90 minuta pas rastit

Ngjarja me incidentin e 24 shkurtit kishte vënë në lëvizje gjithë autoritetet e Aviacionit Civil te Kosovës dhe ato që merren me sigurinë aeronautike te shtetit.

Fakti se raporti i parë i hetimit preliminar dhe ai i dyti dallonin shumë, kishte bërë që autoritet të kërkonin edhe mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës për një gjë të tillë.

Kiksi raportoi në mars, duke u bazuar në burim të tij, se si Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike kishte kërkuar edhe përkrahje nga vetë ministri Liburn Aliu, në mënyrë që hetimet të realizohen në mënyrë të pavarur dhe në të gjitha institucionet.

Dyshimet për ndërhyrje u vërtetuan gjatë hetimeve dhe përpilimeve të raporteve të AShNA-së, kishin ndryshime thelbësore qe preknin jo vetëm situatën se si rrodhi ngjarja, por edhe shkaktarin e incidentit.

Andaj KAHIA nuk po bindej me përfundimet e këtyre raporteve, kështu që u detyrua të kërkonte informacione dhe dëshmi shtesë për rastin.

Ata kësaj radhe donin diçka që dëshmonte me pamje sjelljet dhe ndodhinë në kullën e radarit më 24 shkurt të vitit 2023, kështu që kërkuan video xhirimet e ditës kritike.

Mëdyshjet e saj ishin te deklarimi dhe verifikimi nëse kontrollori i tretë ishte apo jo në vendin e punës, i cili kishte deklaruar personalisht se gjatë incidentit ishte ne pauzë, apo qëndronin deklarimet e thëna nga kolegët e tij që nuk ishin në dijeni se kontrollori i tretë qe atë ditë mbikëqyrësi i tyre.

Kësaj radhe iu besua hartimi i një raporti të tretë Autoritetit të Aviacionit Civil, ku historia u tregua e ndryshme nga dy herët e kaluara.

Zyrtarët përgjegjës për hetime në këtë autoritet nuk qenë tërësisht të pavarur, ata ndryshuan një fakt që lidhet më kontrollorin e tretë, që është ora e ardhjes së tij në vendin e punës.

Ata ndërhynë në raport, duke theksuar se AShNA-s iu përvodh një gabim.

Gabimi, sipas tyre, ishte ora e regjistruar e ardhjes në punë të kontrollorit të tretë, i cili u nënshkrua se erdhi në punë gjysmë ore pas incidentit, por që në sqarimin e AAC-së thuhet se ai kishte ardhur një orë më vonë, apo 1 orë e 30 minuta pas incidentit.

Kjo vë në pikëpyetje gjithë hetimin për faktin se kontrollori i tretë kishte deklaruar se mori në kontroll radarin, ani se nga dëshmitë e reja ai erdhi në punë 90 minuta pas incidentit, që rrjedhimisht i bie se kontrollorët vazhduan të menaxhonin hapësirën ajrore edhe për 1 orë e 30 minuta pas incidentit.

Ardhjen me një orë e gjysmë me vonesë e vërtetuan edhe kamerat e sigurisë.

Sidoqoftë, kur AShNA dështoi të mbrojë kontrollorët e saj, pasi u vërtetua se gabimi ishte njerëzor, nxori një alibi tjetër, atë të problemeve shëndetësore.

Por ky fakt shkaktoi përplasje brenda autoriteteve mjekësore të të dyja institucioneve, AAC-së dh AShNA-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat