Rigjykimi për mashtrim, gjykatësi i nervozuar nga ndërhyrjet e avokati godet tavolinën e gjykatores

Lajme

Rigjykimi për mashtrim, gjykatësi i nervozuar nga ndërhyrjet e avokati godet tavolinën e gjykatores

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 08:56
Foto ilustrim

Në shqyrtimin gjyqësorë lidhur me akuzat për mashtrim ndaj Salih dhe Lutfi Zariqit, gjatë seancës së mërkurë, pas diskutimeve midis prokurorit të këtij rasti Menduh Kastrati dhe gjykatësi Eroll Gashi, ky i fundit i nervozuar me ndërhyrjet nga përfaqësuesi të palës së dëmtuar, avokatit Rexhep Kabashit, ka goditur me dorë tavolinë e gjykatores, duke kërkuar qetësi nga palët prezente.

“Ka dal bre mos um bani zhurmë allaile”, i ka tërhequr vërejtjen gjykatësi Gashi avokatit Kabashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu në fund të gjykimit patë fjalosje të ashpër midis gjykatësit Gashi dhe avokatit Kabashi, ku madje ky i fundit pas kësaj përplasje kërkoi përjashtimin e gjykatësit Gashi nga ky rast.

Deri te kjo fjalosje e ashpër midis gjykatësit Gashi dhe avokatit Kabashi erdhi pasi që ky i fundit kërkonte vazhdimisht që t’i mundësohet propozimi i provave të reja materiale, derisa gjykatësit Gashi i thoshte se ende nuk kanë arritur në atë pjesë.

“A e kupton procedurën a je avokat po ulu mos um pengo ma shumë ulu”, tha gjykatësi Gashi në drejtim të avokatit Kabashi.

Ndaj avokatit Kabashi, gjykatësi Gashi shqiptoi vërejtje si dhe më pas edhe gjobë prej 250 euro, pasi që edhe përkundër vërejtjeve verbale i njëjti sërish ndërhynë në punën e gjykatës.

Paraprakisht në këtë seancë u bë leximi i deklaratës së të dëmtuarës Hasime Dushullovci, e cila po shtoi se nga gjykata kërkon vetëm drejtësi, ngase sipas saj, si ka mbetur gjë tjetër pos të fle në gjykatë, pasi që kjo çështja është shumë moti në gjykatë.

Kjo seancë më pas u ndërpre pasi që avokati Kabashi kërkoi përjashtimin e gjykatësit Gashi, derisa ky i fundit njoftoi se seanca ndërpritet deri në një vendim të kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lidhur me kërkesën për përjashtim të gjykatësit Gashi, avokati Kabashi tha se përmes parashtresës do t’i sqaroj pretendimet e tij.

Ndryshe, Themelorja me 14 shkurt 2022 kishte liruar nga akuzat për mashtrim Salih dhe Lutfi Zariqi.

Por, Apeli këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke konstatuar ndër të tjera se Themelorja në aktgjykimin e saj është e përfshirë në shkelje esenciale që aktgjykimin e bëjnë kundërthënës me faktet ekzistuese.

Sipas aktakuzës së ngritur në shtator të 2017-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Salih dhe Lutfi Zariqi po akuzohen se prej 10 shkurtit 1992, në vazhdimësi deri më sot ku zhvillohet procedurë civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në bashkëkryerje me marrëveshje paraprake kundërligjshëm kanë arritur që të bëjnë ndërrimin e pronarit të paluajtshmërisë në ish-Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Aktakuza thotë se i pandehuri Salih Zariqi pasi që më parë kanë përpiluar dokumentin publik të falsifikuar konkretisht procesverbalin e titulluar “Zapisnik o Usmenojraspravi” dhe më tutje këtë procesverbal e kanë përdorur si dokument të vërtetë në bazë të së cilit është marrë aktvendimi me numër T.nr.64/04 dhe paluajtshmëria ngastra kadastrale nr.2708/2 në sipërfaqe prej 47.48 ari nga ish-Kuvendi Komunal kishte kaluar në emër të të pandehurit Lutfi Zariqi.

E më pas, sipas aktakuzës, të pandehurit përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara kishin filluar procedurë konstestimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, me qëllim për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, në këtë rast të dëmtuarit H.D procedurë e cila vazhdon edhe sot e tutje.

Me këtë, Salih dhe Lutfi Zariqi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tri vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat