“Çarmatosni rrugët, armatosni shkollat me dije!”, qytetarët protestuan për vrasjet e fundit në Kosovë

Lajme

“Çarmatosni rrugët, armatosni shkollat me dije!”, qytetarët protestuan për vrasjet e fundit në Kosovë

Më: 4 prill 2025 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 14:45 më 04.04.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Qyetarët protestuan për vrasjet e fundit në Kosovë

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë mbledhur sot rreth orës 14:00 në një protestë paqësore për të kundërshtuar ngjarjet e fundit që kanë tronditur vendin dhe kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës.

Protestuesit me pankarta në duar marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt sheshit “Skënderbeu”, në Prishtinë.

“Vrasjet dhe përplasjet me armë janë pasqyrë e një dështimi institucional që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi. Kërkojmë ashpërsim të ligjit për armët dhe ndëshkim të ashpër për posedim të paligjshëm, formim të një Reparti Special për Parandalimin e Dhunës në Komunitet, investime urgjente në shëndetin mendor dhe kujdesin psiko-social, edukim qytetar kundër dhunës dhe armëmbajtjes që nga shkollat fillore, kontroll të rreptë të lejeve për armë dhe krijim të një regjistri publik të poseduesve. Koha për veprim është tani. Nuk duam më viktima”, kanë thënë organizatorët.

Ndryshe, kjo protestë është organizuar nga shoqata “Roja e Kohës”.

Sot protestohet kundër dhunës dhe vrasjeve

Shoqata “Roja e Kohës”, ka ftuar të gjithë qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, aktivistët dhe të rinjtë, të bashkohen në një protestë paqësore që do të mbahet sot, duke filluar nga ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, me marshim drejt sheshit “Skënderbeu”.

Sipas njoftimit, kjo protestë organizohet si reagim ndaj ngjarjeve të rënda të fundit që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës në vend.

"Ftojmë të gjitha mediat që të jenë të pranishme dhe të përcjellin këtë protestë qytetare, të organizuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, në mbështetje të kërkesave për: Rritje të sigurisë publike, ashpërsim të ligjeve për armë, investime në shëndetin mendor dhe masa konkrete institucionale për parandalimin e dhunës", thuhet në njoftim.

Pjesëmarrës në protestë do të jenë qytetarë të shumtë, organizata të shoqërisë civile, sindikata, aktivistë dhe të rinj nga e gjithë Kosova.

Ndryshe vrasja e fundit ndodhi në Kaçanik. Mbrëmjen e 1 prillit, në hyrje të banesës së tij në Kaçanik, mbeti i vrarë Muhamed Lika, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat