Ekspozita “Masakrat në Kosovë” shkakton polemika për pasaktësi, ja çka bëri nipi i heroit

Lajme

Ekspozita “Masakrat në Kosovë” shkakton polemika për pasaktësi, ja çka bëri nipi i heroit

Më: 28 mars 2026 Në ora: 08:48 Përditësuar në ora: 18:04 më 28.03.2026
Aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”.

Kontestohet numri i viktimave nga ekspozita edhe për Llashticë

Në kuadër të reagimeve të shumta ndaj autorit Shkëlzen Gashi dhe organizatorëve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, ka reaguar edhe një qytetar sa i përket të vrarëve në Llashticë, të prezantuar në këtë ekspozitë.

“Përshembull, në vizitën e fundit te Kryeministrit Kurti në fshatin tim të lindjes, Llashticë, ai përkujtoi 26 civilëve të vrarë e masakruar. Në disa prej burimeve të cilat i kam hasur personalisht, numri varion ndërmjet 26 dhe 27 civilëve të vrarë. Ne ekspozitën e Shkëlzen Gashit, ne shesh te Prishtinës, për masakrën e Llashtices, thuhet se u masakruan 24 civile. 23 prej tyre shqiptarë. Nuk mjafton Shkelzen Gashi me thane burimet e mija, qe unë u besoj thonë se jane 24. Në asnjë variant nuk kanë qenë 24. Kjo ka qene kaq thjesht e verifikueshme. Veç me ardhur deri në Llashticë”, shkruan Arbër Ramadani në Facebook.

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e vendosur në sheshet e Prishtinës, mbrëmë ka ngjallur reagime të shumta, madje disa qytetarë kanë dal duke fshehur të dhënat e pasakta për viktimat në Burgun e Dubravës dhe ato në Krushën e madhe.

Pasaktësi kishte edhe në materialin për masakrën në Burgun e Dubravës. I mbijetuari i kësaj masakre, Visar Ballovci tha se kishte përjetuar tmerrin përgjatë dy javëve sa kishte ndodhur terrori nga forcat kriminale serbe.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ishte vendosur në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe me mandatin e Prokurorit te Shtetit, kjo çështje do t'i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.

Shkëlzen Gashi reagon ndaj Fondit për të Drejtën Humanitare: Nuk kemi thënë se të vrarët në Dubravë ishin duke luftuar

Autori i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Shkëlzen Gashi, përmes organizatave ADMOVERE dhe INTEGRA, ka reaguar ndaj deklaratës së Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK).

Në reagim thuhet se është lexuar me vëmendje deklarata e FDHK-së, ndërsa sqarohet se në asnjë moment nuk është pretenduar se Fondi ka thënë që 48 personat e vrarë në Burgun e Dubravës kanë qenë të armatosur dhe duke luftuar në momentin e vrasjes.

Sipas reagimit, nuk është thënë as se këta persona janë vrarë duke luftuar, por vetëm se në listën e FDHK-së ata figurojnë si të armatosur apo ushtarë, gjë që sipas tyre evidentohet edhe në publikimet e kësaj organizate.

Gashi, përmes këtij reagimi, thekson se ADMOVERE dhe INTEGRA nuk kanë tentuar asnjëherë t’ia atribuojnë fajin FDHK-së apo udhëheqëses së saj, Natasha Kandiq, duke shtuar se puna e saj dhe e organizatës vlerësohet lart.

Tutje, në reagim thuhet se këto organizata vazhdimisht e kanë cituar Fondin për të Drejtën Humanitare, përfshirë listën e të vrarëve, pasi e konsiderojnë atë si ndër më të plotat dhe më kredibile.

Megjithatë, sipas tyre, përgjegjësia për mungesën e një liste të saktë të të vrarëve në Kosovë u takon institucioneve shtetërore.

Në fund, bëhet thirrje që institucionet dhe shoqëria të mobilizohen për hartimin e një liste të tillë, duke e cilësuar këtë proces si të rëndësishëm dhe kompleks.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH)ka reaguar ndaj autorit Shkëlzen Gashi dhe organizatorëve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke i akuzuar për paraqitje të pasakta të të dhënave lidhur me krimet e luftës.

Në reagimin e saj, Fondi thekson se kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK).

FDHK: Ekspozita ‘Masakrat në Kosovë’ paraqet fakte të pasakta

Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar ndaj autorit Shkëlzen Gashi dhe organizatorëve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke i akuzuar për paraqitje të pasakta të të dhënave lidhur me krimet e luftës.

Në reagimin publik, Fondi thekson se në disa raste ekspozita jep një pasqyrë të shtrembëruar të ngjarjeve, duke e cilësuar këtë jo si çështje interpretimi, por si mungesë njohurish bazë mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe faktet e vërtetuara në gjykatë.

“Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë “persona të armatosur”, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës”, thuhet në reagim.

Gabime të ngjashme, sipas Fondit, janë bërë edhe në rastet e Mejës dhe Reçakut.

“I njëjti gabim është bërë edhe në rastin e Mejës. Mes të vrarëve kishte persona që më parë kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, por më 27 prill ata u ndanë nga kolonat e civilëve, ishin të paarmatosur, pa uniformë dhe nën kontroll të forcave serbe. Në këto rrethana ata nuk mund të konsiderohen “persona të armatosur”, por viktima të krimeve të luftës.

Organizatorët e ekspozitës tregojnë gjithashtu mungesë njohurie për faktet e vërtetuara në gjykatë në lidhje me Reçakun. Në transkriptin e gjykimit të Sllobodan Millosheviq-it, Shukri Buja ka deklaruar se nëntë pjesëtarë të UÇK-së janë vrarë në luftime më 15 janar 1999, gjë që është e ndarë nga vrasja e civilëve në Reçak.

Është gabim dhe joprofesionale të nxirret përfundimi se një person është vrarë si luftëtar vetëm sepse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së. Në Baza e të dhënave të FDH dhe FDHK, përkatësia dhe rrethanat e vdekjes janë kategori të ndryshme. Pikërisht mosnjohja e këtij dallimi ka çuar në paraqitjen e gabuar të 48 të burgosurve të vrarë në Dubravë si “persona të armatosur”, duke shtrembëruar natyrën e krimit”, thuhet në reagim.

Fondi ka shprehur shqetësim edhe për përpjekjet, sipas tyre, të autorëve për të zhvendosur përgjegjësinë tek ky institucion, duke e cilësuar këtë si tentativë për të diskredituar bazën e të dhënave të tyre, e cila dokumenton mbi 8.500 viktima civile shqiptare dhe konsiderohet ndër më të besueshmet për krimet e luftës në Kosovë.

Në fund, Fondi për të Drejtën Humanitare kërkon që ekspozita, në formën aktuale, të hiqet nga hapësira publike, duke theksuar se paraqitja e pasaktë e fakteve dëmton kulturën e kujtesës dhe cenon dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.

Reagon Prokuroria Speciale për ekspozitën në Prishtinë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar lidhur me ekspozitën që është shfaqur në Prishtinë rreth masakrave të ndodhura gjatë luftës në Kosovë duke potencuar se është duke përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ishte vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Përmes një njoftimi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se në përputhje me kompetencat ligjore kjo çështje do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.

Njoftim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Prishtinë, 28 mars 2026 - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke percjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ishte vendosur në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë.

Në përputhje me kompetencat ligjore dhe me mandatin e Prokurorit te Shtetit, kjo çështje do t'i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.

Nipi i heroit rrëzon billboardin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”

Nipi i heroit, Ali Jashari, i cili ka rënë në Betejën e Marsit në Prekaz, ka ndërmarrë një veprim simbolik.

Kjo duke mbuluar dhe rrëzuar bilbord-in që përmbante të të dhënat e pasakta për viktimat në Burgun e Dubravës dhe ato në Krushën e madhe.

“Nipi i Heroit të Kombit, Ali Jashari, i cili ra heroikisht në betejën e marsit 1998 në Prekaz, mbulon dhe rrezon bilbordin me të dhëna skandaloze për masakrat që serbët kanë kryer në Kosovë”, raporton mediumi lokal.

Gjithashtu, në video të tjera, qytetarë të ndryshëm shihen duke mbuluar informacionet për viktimat në Prekaz dhe në Masakrën e Krushës së Madhe, duke shprehur kundërshtim ndaj përmbajtjes së ekspozitës.

Komuna e Prishtinës në aksion: Largohen tabelat e ekspozitës me pasaktësi për masakrat

Komuna e Prishtinës me ekipet e kryeqytetit kanë nisur aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”.

Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.

Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës.

Kjo në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, ka goxha pasaktësi.

Ekspozita me pasaktësi për masakrat, Komuna e Prishtinës sot me aksion

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se duke filluar nga ora 10:00, ekipet e kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”.

Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës,. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.

Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, ka goxha pasaktësi.

Fillimisht u konstatua se të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës kanë gabime, duke u saktësuar se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë…”, mospërputhje me realitetin janë gjetur edhe në së paku dy raste tjera.

Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare janë ekzekutuar 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, në të dhënat e ekspozitës jepen shifra tjera.

Aty thuhet se në këtë masakër janë vrarë 349 civilë shqiptarë.

Rrjedhimisht, 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme janë fshirë nga lista.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat