ITSHKSH, tribunë shkencore në Ditën e Arsimit Shqip

Maqedonia

ITSHKSH, tribunë shkencore në Ditën e Arsimit Shqip

Më: 7 mars 2021 Në ora: 14:57
Foto nga vendi i ngjarjes

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH) ka shënuar sot përmes një tribune shkencore 134-vjetorin e Ditës së Arsimit Shqip. Aktiviteti në fjalë u organizua sipas masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së Virusit COVID 19, ndërsa tema e Tribunës së këtij viti ishte në unison të plotë me situatën e krijuar.

Edhe pse arsimi është një veprimtari e gjerë e cila ngërthen në veten e saj shumë problematika dhe çështje me interes të gjerë publik, këtë vit, sikurse tha koordinatorja për organizimin e tribunës, mr. Laura Papraniku Bejtullau, ka qenë e pa mundur të shmanget diskutimi rreth Pandemisë, respektivisht impaktit që ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe sot e kësaj dite në sferën e arsimit. ”Prandaj, vendosëm që debatin rreth arsimit mos ta shkëpusim nga rrethanat që ka krijuar Pandemia në raport me arsimin, për çka edhe tribunën e pagëzuam ‘Arsimi dhe Pandemia’”, sqaroi ajo.

Duke iu referuar peshës historike që ka shkolla e Korçës, e themeluar më 7 mars të vitit 1887, Bejtullau e cilësoi atë “margaritar të çmuar në gjerdanin e vlerave historike që kanë prodhuar ndër shekuj shqiptarët”, ndërsa organizmin e aktiviteteve që përkujtojnë ngjarje të këtilla si “pjesë të detyrimit dhe punës për rruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore”.

ITSHKSH-ja, sikurse tha drejtori i saj prof.dr. Skender Asani, “jo vetëm që është e vendosur të kontribuojë në zhvillimin e debatit shkencor për të gjitha ngjarjet dhe personalitetet që me madhështinë e tyre i kanë vënë vulën historisë dhe kulturës shqiptare, por do të shfrytëzojë të gjitha kapacitete intelektuale dhe shkencore për ti promovuar ato vlera edhe në rrafshin ndërkombëtar”. Historia e shkollave shqipe, plotësoj më tej drejtori Asani është një faqe e ndritur që na bën krenarë të gjithëve, prandaj e kemi për nder të organizojmë aktivitete si kjo tribunë e 7 marsit, e cila tanimë po kthehet në aktivitet tradicional të Institutit.

“Siç ndodh rëndomë, nga fatkeqësitë e mëdha të nxirren mësime tepër të vlefshme, edhe në rastin e kësaj pandemie nuk duhet të mungojnë përpjekjet për të kërkuar ‘fat në fatkeqësi’, pra për të nxjerrë platforma dhe strategji të reja, të cilat do të ndryshojnë platformat e deritanishme konvencionale. Pandemia, erdhi si një goditje e fuqishme për këndelljen e sistemit tonë arsimor, i cili e kishte thuajse të pa mundur të ndryshojë filozofinë e konceptimit edhe pse dekada me radhë në qarqet akademike diskutohen problemet dhe defektet e njëjta”, nënvizoi ai.

Duke falënderuar pjesëmarrësit e tribunës shkencore “Arsimi dhe pandemia”, drejtori i ITSHKSH-së ndau bindjen se me analizat dhe sugjerimet që do të prezantohen në këtë tribunë do ti kontribuohet përpjekjeve të gjithmbarshme për sjelljen e risive në sistemin arsimor jo vetëm në rrafshin nacional por edhe më gjerë.
Ekspertët e arsimit, prof.dr. Xheladin Murati dhe prof.dr. Avzi Mustafa, dhanë vështrimet analitike për ndikimet që ka Pandemia në “jetën shkollore” të gjithë aktorëve të sistemit arsimor.

“Pandemia Covid-19 bëri që arsimi ti nënshtrohet një kaosi të madh të dijes e të organizimit të shkollës. Një nga arsyet kryesore e këtij kaosi dhe kësaj krize është edhe mungesa e një strategjie korrekte për qasjen ndaj virusit dhe për organizimin e shkollës. Mësimi on-line mund të jetë një formë shumë e mirë për sistemin e arsimit universitar. Përmes platformave të këtilla mund dhe duhet të organizohet mësimi nëpër universitete, por kur behet fjalë për arsimim parauniversitar, pra për shkollat fillore dhe të mesme, gjërat ndryshojnë, sepse nuk kemi as kushtet dhe as mundësitë që të pajisim nxënësit me dijet, kompetencat dhe shkathtësitë të cilat përfitohen në shkollë”, vërejti prof. dr. Murati.

Ndërkaq, prof.dr. Mustafa tha se ”situata me Pandeminë përkeqësoi dhe thelloi ende me shumë problemet në sistemin tonë arsimor, sepse ishim të pa përgatitur për të përshtatur procesin mësimor nga format kovencionale në format e mësimit përmes teknologjisë informatike”. Përveç problemeve të shumta infrastrukturore dhe mungesës së mjeteve teknike, sistemi i arsimit ka edhe një mungesë tjetër të madhe, atë të mos pasjes së programeve mësimore për situata të jashtëzakonshme, sikurse është kjo e pandemisë.

Me mjaft interes ishte edhe paraqitja e prof.dr. Lulzim Mehmedi, ligjërues në Universitetin e Tetovës, i cili iu referua sfidave për organizimin dhe menaxhimin e mësimit të arsimin parauniversitar. “51.4% e mësimdhënësve pajtohen se fillimi i pandemisë na gjeti të papërgatitur për mësim në distancë, 33.7% pajtohen plotësisht, ndërsa nuk pajtohen vetëm 9.8% e tyre”.

Kjo, sikurse plotësoi ai, nënkupton se arsimin parauniversitar e gjeti RMV-në të papërgatitur. Lidhur me platformën, të cilën më së tepërmi e kanë shfrytëzuar mësimdhënësit në periudhën mars – qershor 2020, në bazë të anketës që prof.dr. Mehmedi ka realizuar me 428 mësimdhënës, 49.6% e tyre kanë deklaruar se e kanë përdorur Zoomin,

11.3% Google Meet, 12.5% Viberin dhe 18.9% asnjërën. Jashtëzakonisht i vogël është numri i mësimdhënësve që nuk kanë realizuar mësim. Ligjëruesja e shkencave sociale në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Elisabeta Bajrami Ollogu u ndal në përvojat dhe praktika e mësimit on-line në arsimin universitar.

Përvojat e përfituara sipas saj, mund të shërbejnë si bazament i shëndoshë për krijimin e modeleve alternative për të ardhmen, ndërsa mësimi on-line tha se nuk duhet parë vetëm me ngjyrat “bardh e zi”, aq më tepër kur bota po mbështet çdo ditë e më shumë tendenca që mësimi on-line të shërbejnë si model për organizmin e arsimit të lartë. Raste të këtilla, pra universitete on-line ka plot dhe shtet më të afërt gjeografikisht për këtë e kemi Shqipërinë.
Të gjitha analizat dhe paraqitjet e tribunës së dytë shkencore dedikuar 7 marsit, me temën “Arsimi dhe pandemia”, ITSHKSH-ja pritet t’i botojë në një edicion të veçantë të SCUPI-t.

Image
Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat