“Pasaportat e bosëve”, Ambasada Amerikane nuk komenton hetimin

Maqedonia

“Pasaportat e bosëve”, Ambasada Amerikane nuk komenton hetimin

Më: 9 prill 2021 Në ora: 16:10
Ambasada Amerikane

Ambasada Amerikane sot ka njoftuar se nuk dëshiron të japë komente për hetimet që po zhvillohen për rastin “Sozia”. Por, për Alsat shprehen se ngushtë bashkëpunojnë me institucionet e shtetit për sundimin e të së drejtës, përfshirë edhe bashkëpunim rajonal në luftën kundër dukurive negative.

Ambasada e SHBA-së

“Këto aktivitete kontribuojnë në sigurinë kombëtare dhe rajonale duke forcuar sigurinë e kufirit, transparencën dhe aftësinë për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin, terrorizmin dhe rastet e krimit të organizuar.”

Ndërsa rastësisht ose jo me skandalin në vendin tonë, sot policia turke ka realizuar operacion në Stamboll kundër anëtarëve të grupit të organizuar kriminal në krye me Sedat Peker, i dënuar për disa vepra në Turqi, i cili është në krye të listës së atyre i cili mori pasaportë nga Maqedonia. 63 persona u arrestuan, por Pekeri është në arrati. Dje, ekipi i tij i avokatëve reagoi për mediat në vend, duke pretenduar se ai nuk ka  pasaportë maqedonase të falsifikuar me foton e tij. Por, kryeministri Zaev nuk e mohoi që Peker është në listën e të huajve që kanë marrë pasaportë me identitetin e dikujt tjetër.

Në ndërkohë, VMRO sot vazhdoi të publikojë detaje për Pekerin. Derisa ka qenë në Shkup, ai ka pasur edhe sigurim policor.

“Maqedonia urgjentisht duhet të kërkojë nga drejtoria e përgjithshme e brendshme e BE-së ekip për revidimin e aferës” Mafia “, që të shihet se si janë dhënë këto pasaporta, si kanë mundur njerëz me urdhër-arrest ndërkombëtar të hyjnë në Maqedoni dhe të rregullohen pasojat”.

Alsat sot pyeti në MPB dhe Prokurori nëse në listën e të huajve që kanë marrë pasaportë të falsifikuar gjendet edhe një emër i njohur i nëntokës. Bëhet fjalë për multi- miliarderin iranian- turk Reza Zarab. Ai në vitin 2015 kishte marrë pasaportë të Maqedonisë nga ministri i atëhershëm, Mitko Çavkov. Identiteti i tij është Riza Saraf. Por, në vitin 2016 është arrestuar në Majami si i akuzuar për transaksione prej qindra milionë dollarëve në emër të Qeverisë së Iranit. Përgjigje nga autoritetet tona për këtë rast nuk morëm. Nga Prokuroria nuk zbulojnë detaje as për hetimin aktual, por krijohet përshtypja se fokusohen faktin se kush e ka publikuar aferën.

Prokuroria Publike

“Prokurori publik kompetent do të kërkojë nga MPB të sigurojë prova materiale nëse dhe cilët persona këto të dhëna i kanë bërë të kapshme për opinionin”…

Nga opozita pohojnë se pasaportë maqedonase ka pasur edhe spanjolli Lui Volina, i cili në shtetin e tij është i dënuar me 5 vite burg, për tregti me drogë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat