Qeveria: Me Bullgarinë nuk diskutojmë për identitetin

Maqedonia

Qeveria: Me Bullgarinë nuk diskutojmë për identitetin

Më: 18 prill 2021 Në ora: 15:14
Qeveria e Maqedonisë

Shkupi po e pret formimin e Qeverisë së re bullgare për vazhdimin e negociatave rreth kontestit dypalësh. Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski tha për Alsat se qëndrimi i Shkupit mbetet i pandryshueshëm, pavarësisht kush do ta udhëheqë Qeverinë e re bullgare.

“Pavarësisht kush do të jetë kryeministër dhe si do të jetë përbërja e Qeverisë së re në Bullgari, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet në pozicionet parimore dhe me angazhim të fuqishëm do të vazhdojë negociatat për t’i zgjidhur çështjet e hapura. Për çështjet e identitetit nuk bisedohet dhe nuk mund të negociohet”, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.

Ministria e Jashtme konfirmon se tashmë i ka dërguar edhe ftesë Sofjes për konferencën e parë ndërqeveritare, e cila pos nga formimi i Qeverisë së atjeshme, varet edhe nga harmonizimi i Planit të përbashkët aksionar por edhe nga raporti vjetor i Komisionit të historisë.

“MPJ po i përcjellë proceset politike dhe ka bashkëpunim korrekt me MPJ-në e Bullgarisë. Presim që negociatat për formim të Qeverisë së re në Sofje ta përshpejtojë harmonizimin e Planit Aksionar për bashkëpunim mes sektorëve. Ministria e Jashtme dërgoi ftesë zyrtare për mbajtjen e Konferencës së përbashkët ndër-qeveritare dhe po pret përgjigje, varësisht situatës dhe formimit të Qeverisë”, thonë nga Ministria e Jashtme.

Zv/kryetari i Komisionit nga pala bullgare, Naum Kaiçev tha për Alsat se raporti vjetor ende nuk është harmonizuar plotësisht, ndërsa takimi i radhës i Komisionit të historisë është caktuar për më 22 dhe 23 prill.

Deri tani janë harmonizuar procesverbalet për takimin e 9 dhe 10, për të 11-tin ka ende momente, në të cilat punohet. Raporti vjetor është harmonizuar rreth 75%, por nuk është përfunduar”, pohoi Naum Kaiçev, zv/kryetar i Komisionit nga pala e Bullgarisë.

Përfaqësuesi Special i Qeverisë, Vllado Buçkovski tha se vazhdon aktivitetet për kthimin e besimit mes dy vendeve.

“Më 13 maj, më së voni, do të dihet a do të formohet Qeveri e re apo do të shkohet në zgjedhje të reja me Qeveri teknike të propozuar nga Presidenti, Radev. Në pritje të epilogut, unë vazhdoj me aktivitetet e filluara në rrumbullakimin e projekteve në sferën e mediave, lidhjen e universiteteve të dy vendeve, organizimin e më shumë takimeve të biznesmenëve bullgarë për investime në Maqedoni”, tha Vllado Buçkovski, përfaqësues Special i Qeverisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat