​BDI përshëndet miratimin e pakos së pestë: Në përgatitje pako e 6

Maqedonia

​BDI përshëndet miratimin e pakos së pestë: Në përgatitje pako e 6

Më: 19 prill 2021 Në ora: 13:05
Foto Ilustrim

Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndeti miratimin e pakos së 5-të të masave ekonomike të cilat Kuvendi në seancën e djeshme i miratoi pas shtyrjes së këtij procesi për disa muaj si pasojë e bllokimit nga ana e opozitës përmes parashtrimit të mijëra amendamenteve.

Nga sot, qytetarët do të përfitojnë prej masave të pakos së 5-të ekonomike, ku në llogaritë e tyre do të lëshohen pagat e muajit Shkurt dhe Mars, kurse kompanitë për këtë do të mund të aplikojnë deri më 30 prill.

Bashkimi Demokratik për Integrim si parti politike thotë se përkrah të gjitha nismat ligjore dhe projektet që janë në interes të qytetarëve përfshirë këtu dhe këmbënguljen e miratimit të ligjeve nga pakoja e 5-të e masave ekonomike përmes të cilave mbi 60.000 qytetarë dhe kompani do të ndihmohen financiarisht.

“Shkaqet për vonimin e miratimit të ligjeve të cilat rrjedhin nga këto pako ekonomike tashmë janë të qarta, opozita me mos prezencën e saj mbante peng formimin e kuorumit me qëllim mbajtjen e seancës. Mos prezenca e dy liderëve të opozitës shqiptare në momentin e votimit të ligjeve nga pakoja e 5-të flet qartë se ata janë të fokusuar në përfitimin e pikëve politike ditore dhe jo të angazhuar për popullin nga i cili edhe kanë marrë besimin”, thuhet në komunikatën e BDI.

Pas miratimit të pakos së 4 dhe 5-të të masave ekonomike, BDI thotë se në përgatitje e sipër është dhe “pakoja e 6-të me masa ekonomike e cila do të përfshijë subjektet të cilat kanë qenë të mbyllura gjatë 14 ditëve të fundit dhe kjo pritet që të jetë në rend dite në seancën e radhës të Qeverisë, ku pakoja e 6-të do të ketë dhjetëra masa të cilat kompanitë do të mund t’i shfrytëzojnë për rimëkëmbje nga humbja e shkaktuar nga pandemia me COVID-19”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat