Opozita e ka gati ligjin për shtetësi

Maqedonia

Opozita e ka gati ligjin për shtetësi

Më: 23 prill 2021 Në ora: 19:56
Elmi Aziri

Teksti i ligjit për shtetësi është gati. Pritet që të hënën opozita shqiptare ta dorëzojë deri tek koordinatorët e grupit parlamentar të shumicës për ta parë. Elmi Aziri nga koalicioni ASH-AAA, nuk dha shumë detaje mbi ligjin për shkak se është në fazë të harmonizimit.

“Ne si koalicion e kemi kryer punën tonë, e kemi përfunduar draftin përfundimtar të propozim ligjit dhe do ta dorëzojmë tek grupi parlamentar i shumicës qeveritare”, deklaroi Aziri.

Por kryeministri Zaev tha se ligji duhet të dorëzohet në Ministrinë e Brendshme për shqyrtimin nga ana e ekspertëve.

“Qëllimi ishte që ta dorëzojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që së pari ta shohin ekspertët. Me siguri kur ata të formojnë qëndrimin e tyre, do ta dorëzojnë tek unë dhe kabineti im për ta shqyrtuar”, u shpreh Zaevi.

Aziri tha se ligji si çështje pikënisjen e ka në Kuvend dhe për këtë arsye edhe aty do të dorëzohet e pastaj pjesa tjetër është obligim i shumicës parlamentare.

“Ne si deputet e dorëzojmë në parlament në grupet e punës me të cilët kemi punuar ne. Pastaj është obligim i tyre se ku e procesojnë ato. E vërteta është se MPB është institucioni bazë ose amë i cili merret me procesimin e shtetësive dhe supozoj se edhe këtu buron deklarata e kryeministrit Zaev”, shtoi Aziri.

Aziri tha se tash në vend të tre dëshmitarëve siç e kishin propozuar ata, si dëshmi do të jenë 15 dokumente prej të cilëve qytetari mjafton ta posedojë vetëm njërin dhe do të vlejë si dëshmi për ta marrë shtetësinë.

“Aty bëjnë pjesë certifikata e lindjes, faturat e rrymës elektrike, faturat e ujit, dëftesat e shkollave fillore etj. D.m.th. një gamë prej 15 dokumentesh që nëse njëri prej tyre deponohet mjafton si dëshmi për ta marrë shtetësinë. Kjo është në kuadër të asaj marrëveshje që kemi”, tha më tej Aziri.

Pasi që palët do të shqyrtojnë ligjin pritet të realizohet edhe një takim mes Selës, Gashit dhe kryeministrit Zaev, për t’ia vënë vulën kësaj çështjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat