Pandemia rriti çmimin e banesave në Maqedoni

Maqedonia

Pandemia rriti çmimin e banesave në Maqedoni

Më: 17 maj 2021 Në ora: 20:30
Foto ilustrim

Gjatë vitit 2020, në Maqedoni të Veriut u rrit çmimi i banesave. Pavarësisht kësaj, sipas të dhënave të Entit shtetëror të Statistikave, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2020 janë shitur 10 për qind më shumë banesa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Ngritje të çmimeve ka pasur vetëm në dy muajt e parë pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Banka Popullore thotë se çmimet e banesave në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2020 janë shtrenjtuar për 3 për qind.

Ndërkaq, agjencitë e patundshmërive thonë se në disa komuna të Shkupit, siç janë Gjorçe Petrov dhe Gazi Baba, çmimi i banesave të reja është rritur deri në 10 për qind.

Për momentin, mbi 135 mijë banesa janë në procesin e ndërtimit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës, në Komunën Qendër të Shkupit, gjatë vitit 2020, një metër katror i një banese ka kushtuar 62 mijë e 778 denarë apo 1 mijë e 30 euro. Megjithatë, metri katror për banesat e reja ka kushtuar mbi 1 mijë e 350 euro.

Salim Hasani, drejtues i sektorit të ndërtimtarisë në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, që po ashtu është edhe udhëheqës i një kompanie ndërtimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se vitin e kaluar mbi 7 mijë banesa kanë mbetur pa shitur. Por, ai thotë se kjo nuk ka ndodhur për shkak të rënies së kërkesës për blerje, por se këto banesa nuk kanë pasur lokacion atraktiv ose nuk kanë qenë të ndërtuara me material cilësor.

“Blerësit e rinj tani janë shumë më të emancipuar dhe të njëjtit kanë kërkesa shumë më specifike, dhe projektet e vjetra nuk i plotësojnë kërkesat e tregut. Banesat e reja nuk ka sa duhet, përkatësisht aq sa ka nevojë tregu për to, dhe kjo është një nga arsyet pse po shtrenjtohet çmimi i banesave. Arsyeja tjetër e shtrenjtimit të çmimit ka të bëjë edhe me rritjen e kostos së ndërtimit, do të thotë rritjen e kostos së materialeve për ndërtim. Kemi edhe shtrenjtim të shërbimeve të fuqisë punëtore, që kontribuon në koston e ndërtimit”, thotë Hasani.

Ndërkaq, Nikolla Vellkovski nga Grupi për Ndërtim, që funksionon në kuadër të Odës Ekonomike, thotë se një arsye tjetër që ka kontribuar në rritjen e kostos së ndërtimit, është edhe mungesa e mjeshtërve, ku një numër i madh i tyre, siç thotë Vellkovski, janë larguar nga vendi.

Po ashtu, shtrenjtimin e çmimeve, sipas Vellkovskit e dikton edhe rritja e kërkesës për blerjen e banesave në kryeqytetin maqedonas.

“Llogaritet se ne kemi fuqi punëtore, që është e lirë. Por, realiteti është krejt ndryshe sepse punëtorë të kualifikuar, përkatësisht mjeshtër të rrymës, të vendosjes së pllakave apo instalimit të ujit, është shumë vështirë të gjenden, pasi pjesa më e madhe janë larguar nge vendi”, thotë ai.

“Dhe faktor tjetër që ka nxitur rritjen çmimit të banesave, është kërkesa për blerjen e banesave në Shkup. Shkupi u shndërruar në një dhomë gjumi për tërë Maqedoninë e Veriut, këtu qëndron i gjithë problemi sepse çdokush që mund të blejë banesë, shikon mundësinë që të vijë këtu, të blejë banesë në Shkup, ku mundësitë e punësimit janë më të mëdha”, shton Vellkovski.

Mbështetja që u japin bankat, si ndërtuesve ashtu edhe blerësve, është dëshmi se investimi në patundshmëri është “investim i sigurt”, edhe gjatë pandemisë, thotë Hasani.

“Blerja e banesave pas një kohe, kur do të bëhet nivelizimi i çmimeve në bazë të kostos së shpenzuar për ndërtim, atëherë çmimi i banesave të reja do të jetë edhe më i lartë. Andaj, kjo kohë paraqet momentin më të qëlluar për të investuar në blerjen e banesave”, thotë Hasani.

Agjencitë e patundshmërive gjithashtu thonë se kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, ka rritur kërkesën e shtëpive dhe banesave jashtë zonave urbane. Në rrethinë të Shkupit, por edhe në qytete turistike, siç është Ohri, çmimi i banesave, gjatë pandemisë është rritur nga 700 euro për metër katror në 760 euro./REL/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat