Kë do ta mbështesë LSDM-ja, BDI-në apo Besën?

Maqedonia

Kë do ta mbështesë LSDM-ja, BDI-në apo Besën?

Më: 18 korrik 2021 Në ora: 11:01
Zoran Zaev

Cila parti do të “lutet” dhe do të kërkojë mbështetje për zgjedhjet lokale?Selitë partiake po bëjnë analiza dhe kalkulime. Njëra nga komunat më të mëdha është Tetova, me të cilën aktualisht drejton Teuta Arifi nga radhët e BDI-së. Pritet që partia shqiptare në pushtet ta rikandidojë Arifin. Por, nga ana tjetër, me kandidat në Tetovë do të dalë edhe Lëvizja Besa, partner i koalicionit të LSDM-së, njëkohësisht edhe partner qeveritar. Për më tepër, kandidat këtu pritet të jetë kreu i partisë Bilall Kasami.

Meqë tashmë kanë filluar llogaritjet partiake rreth asaj se kush me kë do të shkojë në zgjedhje ose kush kujt do t’i japë mbështetje, parashtrohet pyetja – për kë do të kërkojë vota LSDM-ja nga mbështetësit e saj në Tetovë, duke pasur parasysh se partneri i tyre në Qeveri është edhe BDI-ja, edhe Besa.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se deri në fund të këtij muaji do të jenë gati marrëveshjet për koalicion. Megjithatë, shton se mbështetjen e tyre do ta marrë partia me të cilën janë në koalicion, por pa konkretizuar për kë e ka fjalën – Besën apo BDI-në.

 “Ende nuk kam përgjigje, por shpresojmë se do të arrijmë marrëveshje deri në fund të këtij muaji. Me BDI-në, Besën dhe PDSH-në. Atje ku kemi më shumë kandidatë nga koalicioni ynë, ai që do të hyjë në rrethin e dytë, është logjike se do ta ketë mbështetjen e të gjithë partnerëve të koalicionit”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Por, çka nëse në raundin e dytë në Tetovë hyn edhe kandidati i BDI-së, edhe i Besës? Kandidatin e kujt do ta mbështeste LSDM-ja? Arifin apo Kasamin? Zaev i rezervuar sa i takon kësaj çështjeje.

 “Ende është herët për përgjigje rreth supozimeve të këtilla. Përgjigjja ime e kësaj pyetjeje mund të shkaktojë vetëm problem në koalicionin tonë. Te ne shumica mendon se LSDM-ja do të hyjë në rrethin e dytë me kandidatin e Aleancës. Ende është herët për të folur teorikisht”, tha Zoran Zaev – kryetar i LSDM-së.

Por, nga Besa thonë se nuk shohin asgjë komplekse nëse votuesit e LSDM-së votojnë për kandidatin e tyre. 

 “Ne besojmë se komunat ku do garojmë kanë nevojë për ndryshime dhe nga këtu mbështetjen e presim nga popullata. Sa i takon LSDM-së, nuk shohim asgjë komplekse që votuesit e tyre të votojnë Lëvizjen BESA, pasi që njëherë kanë votuar, dhe atë jo më larg se para një viti në zgjedhjet parlamentare”, potencoi Arjanit Hoxha – Sekretar Gjeneral i Lëvizjes Besa.

Për Tetovën me kandidat doli edhe PDSH-ja. Ish-kryetari Sadi Bexheti do të garojë edhe për një mandat, pas pauzës disavjeçare. Ende nuk dihet kush do të jetë kandidati i koalicionit ASh/AAA, por qarkullon emri i mjekut Ilir Demiri. Ndryshe, LSDM-ja tashmë promovoi disa nga kandidatët për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor. Petre Shilegovi do të garojë për Qytetin e Shkupit, kurse në betejë për mandat të dytë do të hyjnë edhe Temelkovski në Kisella Vodë, Smilevski në Butel, Halimi në Haraçinë, Nikollov në Shtip, kurse Georgievski në Ohër. Ndryshe, në Komitetin e fundit Ekzekutiv të opozitares VMRO-DPMNE filtrin e kanë kaluar 25 kandidatë të cilët do të vrapojnë për postin kryetar komune, por emrat e tyre ende nuk zbulohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat