Osmani organizoi pritje për diasporën

Maqedonia

Osmani organizoi pritje për diasporën

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 22:55
Pamje nga takimi

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ishte nikoqir i qytetarëve tanë, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe këto ditë të pushimeve verore po i kalojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Duke u dëshiruar mirëseardhje, Osmani e falënderoi diasporën për kontributin e dhënë në transmetimin e mesazhit dhe imazhit pozitiv të vendit tonë, si dhe kontributin në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Bëhet fjalë për “potencial të madh të kuadrove të rinj dhe të arsimuar, të cilët janë më të mirët në profesionet e tyre, për njohuritë dhe aftësitë e të cilëve ka nevojë rrethi i origjinës dhe ai në të cilin kthehen rregullisht”, theksoi Osmani.

Ai i njoftoi mysafirët me projektet e shumta të Ministrisë së Punëve të Jashtme, së cilës i janë dhënë të gjitha kompetencat në lidhje me diasporën: stacionet bazë fikse për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit, me çka dukshëm do të shkurtohet procedura; projekti i dixhitalizimit të pjesës më të madhe të shërbimeve konsullore, të a.q. E-konsullatë; riaktivizimi i mbështetjes financiare për projektet e diasporës, i cili ishte ndërprerë për shkak të pandemisë; formimi i një grupi parlamentar për bashkëpunim me diasporën; analiza e nevojës për miratim të një ligji mbi diasporën dhe të tjera. Deri në vendimin për të miratuar një ligj, në ndërkohë, do të botohet Libri i Bardhë, ku detajisht do të renditen përfitimet që i ofrohen diasporës e të cilat nuk janë të përpunuara sistematikisht në një dokument të vetëm.

Në fjalimin e tij, Osmani tha se mandatin e tij do ta përkushtojë në krijimin e kushteve, në mënyrë që secili që ka dëshirë, të mund të kthehet në vend, duke theksuar ndër të tjerash edhe projektin MKarta, si një njohje dhe konfirmim për personalitete dhe individë të shquar, që jetojnë jashtë vendit dhe të cilët me punën dhe profesionalizmin e tyre të suksesshëm janë promovimi i vërtetë i Maqedonisë së Veriut jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat