Sëmundjet e rralla në Maqedoninë e Veriut, pritje të gjata për terapi

Maqedonia

Sëmundjet e rralla në Maqedoninë e Veriut, pritje të gjata për terapi

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 19:35
Foto ilustrim

Prindërit e fëmijëve të cilët kanë probleme me rritjen trupore ankohen për diagnostikim të vonuar nga ana e pediatërve. Biljana Stefanovska është nëna e një vajze 15 vjeçare. Në moshën 9 vjeçare mjekët kishin vendosur se ajo duhej të pranonte terapi për rritje, megjithatë dy vite ajo kishte qëndruar në pritje të institucioneve dhe ishte endur derë më derë për të filluar trajtimin. Tani ajo ka 3 vite që po trajtohet dhe ka përmirësim të dukshëm. Ajo thotë se institucionet kanë qenë të shurdhra dhe se zgjidhjen e ka gjetur përmes shoqatës “Rast” e cila mbron këta fëmijë.

“Nuk pati derë që nuk trokitëm, nuk mbeti njeri që nuk pyetëm megjithatë ashtu qëndronte puna në shtet dhe ngelëm. Prindërit duhet prej shumë të vegjël të vërejnë tek fëmijët nëse rriten si duhet, pavarësisht se fëmijët shkojnë në kontroll sistematik dhe i kontrollojnë nëse rriten, megjithatë pediatrit nuk kushtojnë aq shumë vëmendje, prindi duhet të jetë ai që ndjek fëmijën”, tha Biljana Stefanovska, prind i fëmijës me probleme në rritje.

Nga shoqata “Rast” kërkojnë nga të gjithë pediatrit që me shumë vëmendje të kontrollojnë nivelin e rritjes trupore të fëmijëve ndërsa nga Klinika Pediatrike në Shkup e cila i trajton këta fëmijë kërkojnë që t’i lehtësojë procedurat për fillimin e pranimit të terapisë.

“I bëj thirrje Klinikës së fëmijëve t’i lehtësojë procedurat për vendosjen në listë të pacientëve të rinj për pranim të terapisë. Nuk ka nevojë për periudhë të gjatë për të firmosur mendime konziliare dhe nuk ka nevojë për nënshkrime që marrin disa muaj kohë, por kjo duhet të bëhet sipas të gjitha standardeve botërore që kjo procedurë të paktën të mbyllet për 3 muaj”, pohoi Aleksandar Petrovski, Shoqata “Rast”.

Në Klinikën e Pediatrisë në Shkup gjithsej trajtohen 120 pacientë me këtë problem në zhvillim. Ndërkaq sipas të dhënave të kësaj Klinike më shumë se 30 fëmijë të tjerë janë në listën e pritjes për tu trajtuar me këtë terapi. Të dhënat e sektorit civil thonë se numri I fëmijëve të cilët presin për tu shëruar është mbi 100. Së fundmi Fondi Shëndetësor ka rritur buxhetin për furnizim me këtë terapi deri në 58.000 milion denarë të cilat tanimë janë në dispozicion të Klinikës së Pediatrisë.

acaj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat