Në Dibër, regjistrohen rreth 20 mijë qytetarë

Maqedonia

Në Dibër, regjistrohen rreth 20 mijë qytetarë

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 20:12
Ilustrim

Në rajonin e regjistrimit 24, i cili përfshinë komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave mund të thuhet se është përfunduar me sukses, deklaroi për MIA-n Reshat Qormemeti, kryetar i komisionit të regjistrimit, sipas të cilit ky operacion i rëndësishëm statistikor është zbatuar pa probleme.

“Gjatë ditës, regjistruesit vizituan edhe një herë shtëpitë ku në kohën e vizitës nuk ishte askush, dhe bëhet fjalë për një numër shumë të vogël. Përfundimisht të paregjistruarit, për arsye të ndryshme, kanë mundësi ta bëjnë këtë në hapësirat e komisionit të regjistrimit, ku ka regjistrues dhe instruktorë, edhe pse në vlerësimin tonë nuk ka persona të tillë, sepse regjistruesit i kanë vizituar disa herë”, thotë Qormemeti.

Komisioni gjendet në katin e tretë të ndërtesës së komunës së Dibrës dhe nëse ka persona të paregjistruar mund ta bëjnë sot deri në orën 20.

Aktivitetet e regjistrimit në këtë zonë ishin drejt përfundimit javën e kaluar, për shkak të së cilës katër regjistrues u dërguan për ndihmë në Strugë.

Mësohet se në komunën e Dibrës janë regjistruar rreth 15 mijë persona, ndërsa në komunën Qendër Zhupë rreth pesë mijë persona.

Rajoni i regjistrimit 24 mbulon 95 zona regjistrimi, nga të cilat 62 në komunën e Dibrës, ndërsa 33 të tjerat në komunën e Qendrës Zhupës. Kishte 43 regjistrues në terren dhe 6 instruktorë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat