ASH akuzon Teuta Arifin për kontratat në vepër

Maqedonia

ASH akuzon Teuta Arifin për kontratat në vepër

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 15:53
Teuta Arifi

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka akuzuar kryetaren aktuale të Tetovës, Teuta Arifi, për keqpërdorimin e Buxhetit të Komunës, “për tu dhënë rroga mbi 300 militantëve partiak dhe familjarëve të saj”.

Më poshtë mund të lexoni tekstin e plotë të konferencës për media.

Të nderuar qytetarë të Tetovës,

Sot para jush shpalosim mashtrimin dhe malverzimin e madh të rradhës të kryetares aktuale të Komunës së Tetovës Teuta Arifi.

Në njërën nga emisionet debative kryetarja aktuale Teuta Arifi para opinionit deklaroi që numri i të punësuarve në Komunën e Tetovës është 360. Duke dashur t’ju informojmë saktë dhe pa rrena dhe mashtrime ju njoftojmë që përveç këtyre 360 të punësuarve në Komunën e Tetovës, Teuta Arifi vetëm në Komunë ka të punësuar mbi 300 persona me kontrata në vepër për të cilët çdo vjet nga buxheti komunal, të cilin e mbushim ne, taksapaguesit e Tetovës, harxhohen mbi 900.000 Euro!!! Dmth gjatë 8 vjet qeverisje Teuta Arifi vetëm për kontratat në vepër ka harxhuar mbi 7 milion euro, para të taksapaguesve tetovarë!!!

Sikur këta para të harxhoheshin aty ku duhet e jo për njerëz që janë militantë partiakë, familjarë të Teuta Arifit dhe të anëtarëve të kabinetit të saj, sot nga këta para do të ishin ndërtuar disa çerdhe për fëmijë, rrugë, kënde lojërash për fëmijë, parqe e të ngjashme.

Por të shkojmë me radhë:

Në listën që është publike, e që mund ta merrni nga web faqja https://open.finance.gov.mk do të shihni se si, vite me radhë, Teuta Arifi u ka dhënë dhe vazhdon t’u japë rrogë militantëve partiak, të afërmve të saj dhe të kabinetit të saj të cilët asnjëherë nuk kanë punuar dhe nuk punojnë në komunë, madje disa nga ta as nuk gjinden në Tetovë por jetojnë dhe punojnë jashtë Republikës së Maqedonisë Veriore.

Më poshtë do t’ju japim disa emra ku qartë shihen kriminaliteti dhe malverzimet e Teuta Arifit me buxhetin e Komunës së Tetovës dhe keqpërdorimin e parave publike të taksapaguesve tetovarë:

–          Albona Megjani Sinani, bashkëshorte e Betim Sinanit kusheririt të Teuta Arifit me kontratë në komunë, merr rrogë 15.000 denar në muaj, jeton dhe punon në Gjermani

–          Rygjyl Sulejmani, bashkëshorte e Vahid Sulejmanit – shefit të financave në komunën e Tetovës, djali i dajës Teuta Arifit, asnjëherë ska punuar në komunë, merr rrogë

30.000 denarë në muaj

–          Arlind Zeqiri, ish ministër dhe funksionar i BDI-së, merr rrogë çdo muaj nga 17.000 denarë, asnjëherë ska punuar në komunë;

–          Rudina Fazliu, motra e Armend Fazliut, aktivist dhe militant i BDI-së, i punësuar në kabinetin e Teuta Arifit, çdo muaj merr nga komuna nga 15.000 denarë edhe pse punon në kompaninë Ecolog

–          Hidije Ceka, gruaja e ish drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale Xhelal Ceka, çdo muaj merr rrogë nga komuna 25.000 denarë, pa punuar asnjëherë në komunë

–          Valmir Alili, bashkëshort i Vjollca Alilit, e punësuar në kabinetin e Teuta Arifit, çdo muaj merr nga 15.000 denarë, edhe pse nuk punon në komunë por ka kompani private

–          Genti Ismaili, vëllau i Ardi i Ismailit, aktivist dhe militant i BDI-së i punësuar në kabinetin e Teuta Arifit, çdo muaj merr rrogë nga komuna 30.000 denarë, pa punuar asnjëherë në komunë

–          Jeton Pustina, i punësuar në disa institucione, çdo muaj merr nga 20.000 denarë para nga buxheti i komunës për të bërë aktivitet politik dhe partiak në tubimet e Teuta Arifit dhe të BDI-së.

Ka edhe shumë persona tjerë që marrin rrogë nga Komuna e Tetovës e që gjinden në këtë listë mirëpo në interes të kohës ne ju shpalosëm vetëm disa nga ata.

Edhe njëherë potencojmë që lista është publike dhe mund të merret nga web faqja https://open.finance.gov.mk

Lista të ngjashme, me të punësuar me kontrata ka edhe në Ndërmarrjen Publike Komunale ku gjithashtu ka shumë të afërm të Teuta Arifit dhe bashkëshortit të saj por edhe të afërm të funksionarëve tjerë të BDI-së që marrin rrogë me vite por që asnjëherë nuk kanë shkuar në punë. Është shumë shqetësuese se këta të punësuar fiktivë me kontrata marrin shuma të majme të mjeteve, kurse të punësuarve ju vonohen rrogat dhe nuk ju paguhen kontributet shëndetësore dhe pensionale.

Për të gjithë këto malverzime dhe keqpërdorime të Teuta Arifit, Aleanca për Shqiptarët do të njoftojë institucionet kopetente shtetërore siç janë Prokuroria Themelore, Komisioni për antikorupcion, Enti shtetëror për revizion, Policia Finansiare si dhe institucionet ndërkombëtare dhe Ambasadat e shteteve Europiane dhe Ambasadën e SHBA-ve.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat