Ahmeti: S’mund të vendosë VMRO-DPMNE për shqiptarët

Maqedonia

Ahmeti: S’mund të vendosë VMRO-DPMNE për shqiptarët

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 18:28
Ali Ahmeti

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke vazhduar fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve në mbështetje të kandidatit për kreun e Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejtën, ka bërë thirrje për mobilizim, siç tha, në mënyrë që fituesin në Gostivar e Kërçovë të mos e përcaktojë VMRO-DPMNE-ja.

“ Të mobilizohemi. Nuk e di ku e gjejnë atë forcë, për shembull partitë, të dalin e të thonë ne mbështesim VMRO-në apo VMRO-ja na mbështet neve. Nuk është mirë që në Kërcovën time dhe në Gostivarin tim, VMRO-ja ta përcaktojë se kush do të fitojë”.

Por, nga Kërcova lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka drejtuar akuza në adresë të partive të koalicionit qeverisës, LSDM dhe BDI se me vetëdije po nxisin tensione ndëretnike. Sipas Mickoskit, zjarrit në këtë drejtim, po i fryjnë edhe disa portale në gjuhën shqipe që siç tha, është sekret publik se udhëhiqen nga Artan Grubi.

 “Në këtë ekstazë pikërisht Zaevi dhe disa afër tij me vetëdije nxisin tensione etnike. Pse? Për shkak se për ata më të rëndësishme janë pozitat dhe paratë. Përse e bëjnë këtë? Për shkak se e dinë se përveç parave dhe fuqisë politike, për asgjë tjetër nuk janë”.  

Lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski publikisht ka bërë të ditur se në rrethin e dytë të zgjedhjeve në Gostiva do ta mbështes kandidatin e koalicionit ASH-AAA, Arben Taravarin. Nga ana tjetër, LSDM-ja gjithashtu ka njoftuar se do të mbështesë kandidatët e BDI-së, në komunat ku do të përballen me kandidatët e opozitës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat