BESA humbi një deputet, grupit parlamentar të VMRO-së i bashkohet Kovaçki

Maqedonia

BESA humbi një deputet, grupit parlamentar të VMRO-së i bashkohet Kovaçki

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Të premten do të bëhet certifikimi i mandatit të deputetëve të rinj. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se Kuvendi do të njoftohet për deputetët që janë në listën zgjedhore pasi krerët e komunave të marrin detyrën zyrtarisht.

“Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare për kryetar të komunave dhe Qytetin e Shkupit, pason faza e certifikimit të kandidatëve të cilët kanë fituar në raundin e parë dhe të dytë zgjedhor (të mbajtur më 17 dhe 31 tetor). Më pas kandidatët që janë në listën zgjedhore për t’u bërë deputet njoftohen për certifikimin e mandatit”, njoftojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Për shkak të zgjedhjes për kryetar komune, nga përbërja parlamentare do të largohen Bilall Kasami i cili si kryetar i Lëvizjes Besa ishte bartës liste i koalicionit “Mundemi” në njësinë e gjashtë zgjedhore. Pas fitores në raundin e dytë në Tetovë, në vend të Kasamit pritet të vij Dragolub Filiposki, kandidat për deputet nga radhët e LSDM-së, i pesti në listën e koalicionit.

Në vend të kryetarit të ardhshëm të Strumicës, deputetit Kostadin Kostadinov pritet të vij Dragica Gjavoçanova nga LSDM-ja. Kostadinov fitoi në raundin e parë zgjedhor në Strumicë, ndërsa nga Kuvendi largohet pas fillimit të mandatit të dytë si deputet socialdemokrat.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ivan Jordanov i zgjedhur për kryetar komune në Shtip do të zëvendësohet nga bashkë partiaku i tij Dragan Kovaçki. Ky i fundit ishte propozim i partisë së Hristijan Mickoskit për ministër të Brendshëm teknik në vitin 2020 kur zgjedhjet parlamentare ishin caktuar për muajin prill por u shtynë për në korrik për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.

Në vendin e deputetit Kiril Pecakov i cili u zgjodh për kryetar komune në Ohër, grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së në ligjvënës pritet t’i bashkohet Gracija Bakraçevska, duke e shtuar numrin e deputeteve femra në Kuvend.

Pas fitores së Darko Kostovskit në Komunën e Butelit, në vendin e tij do të vijë kandidati për deputet nga Komuna e Gazi Babës, Zoran Kocevski si kandidat i radhitur i 8 në listën e VMRO-DPMNE-së në njësinë zgjedhore numër 2.

Vendin e deputetit dhe kryetarit të Komisionit për Financa dhe Buxhet në Kuvend, Timço Mucunski do ta zë Toni Jarevski. Ky i fundit vjen në vend të Mucunskit pas fitores së tij në raundin e parë në Komunën e Aerodromit. Jarevski i cili vjen nga Komuna e Karposhit ndodhet i 8 në listën e VMRO-DPMNE-së në njësinë e parë zgjedhore. Deputetë të rinj do të ketë nga gjashtë njësitë zgjedhore, dy prej tyre të shumicës, ndërsa 4 të opozitës, respektivisht VMRO-DPMNE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat