Çka presin banorët e Dibrës nga kryetari i ri?

Maqedonia

Çka presin banorët e Dibrës nga kryetari i ri?

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 14:43
Foto

Hekuran Duka nga BDI-ja do ta udhëheqë Dibrën për katër vitet e ardhshme, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura dje fitoi vetëm 138 vota më shumë se Bekim Pocesta nga Aleanca Shqiptarët – Alternativa. Pocesta mbrëmë ka akuzuar se BDI ka përfshirë strukturat qeveritare në procesin zgjedhor dhe se do të analizojnë procesverbalet nga vendvotimet. Banorët e Dibrës thonë se nuk presin shumë përmirësim në qytetin e tyre. Kush vjen në pushtet, thonë ata, do të jetë i njëjti. Dibra është kthyer në zorrë qorre dhe në qytet pensionistësh pasi të rinjtë emigrojnë në mënyrë masive.

“Nuk kemi punë. Punësojnë në baza partiake. Edhe sikur të votojmë, do të jetë njësoj. Nuk i besoj askujt. Nuk i besoj asnjë partie. Askush nuk bën asgjë. Jemi pa punë. Nuk kemi asnjë punë. Nuk shohim kurrfarë të ardhme. Para votimit do të jetë kjo e ajo dhe në fund asgjë”.

“Tash 30 vite që presim nga të gjithë kryetarët. Por disi këndohet e njëjta këngë. Qyteti nuk është aspak i pastër. Dibra ka nevojë vetëm për higjienë. Infrastruktura? “Po, ka bërë diçka, por disi po shkon shumë ngadalë, duhet të jetë pak më shpejt.”

Me ndërtimin e autostradës “Rruga e Arbërit”, e cila pritet të ndërtohet së shpejti, banorët e Dibrës do të arrijnë në Tiranë më shpejt, respektivisht për vetëm një orë, sesa në Shkup, Strugë apo Ohër. Pronarët e objekteve hotelierike në Dibër e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë.

“Nëse në Listën zgjedhore në Dibër ka diç më shumë se 19 mijë votues, supozohet se gjysma e tyre nuk jetojnë fare në Dibër, por diku në vendet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA. Në bisedë me banorët e Dibrës thonë se problemi më i madh i këtij qyteti është emigrimi”.

Në votime dje dolën vetëm 8,444 votues. Vlerësohet se vetëm në SHBA ka më shumë se 8000 dibranë, ndërsa në Evropë më shumë se 2000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat