Mbërrijnë në Shkup trupat e viktimave të aksidentit në Bullgari

Maqedonia

Mbërrijnë në Shkup trupat e viktimave të aksidentit në Bullgari

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 06:19
Aeroplani

Në Shkup mbërritën të premten trupat e 45 shtetasve të Maqedonisë së Veriut që humbën jetën në aksidentin e 23 nëntorit pranë Sofjes në Bullgari.

Mjekët ligjorë bullgarë pëfunduan këto ditë identifikimin e trupave me anë të mostrave të ADN-së të familjarëve të tyre. 12 nga viktimat ishin fëmijë, më të rinjtë të moshës katër vjeçare.

Autoritetet shtetërore maqedonase organizuan një pritje zyrtare, ku morrën pjesë familjarë të viktimave si dhe delegacione shtetërore nga Kosova, Shqipëria.

Në sheshin Skenderbeu të Shkupit qytetarët vendosën lule në shenjë nderimi për viktimat.

Shumica e viktimave ishin shqiptarë, që po ktheheshin me autobus nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë. Autobusi u përlas pas orës 2 të mëngjesit të 23 nëntorit me bankinat e autostradës “Struma”, 45 kilometra në lindje të Sofjes. Ekspertët bullgarë thanë se udhëtarët humbën jetën si rezultat i asfiksimit nga tymi brenda autobusit. Vetëm shtatë persona arritën të mbijetojnë.

Autoritetet bullgare thonë se po vazhdojnë hetimet për të zbuluar shkakun e përhapjes së shpejtë të zjarrit.

Në Shkup, ndërkaq, autoritetet thanë se autobusi nuk kishte licencë për transportin e udhëtarëve në destinacione ndërkombëtare. Pronari i kompanisë “Besa-trans” që organizoi udhëtimin, ndodhet në Sofje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat