MPJ: Ndahen 100 pasaportat e para mobile përmes Ambasadës në Londër

Maqedonia

MPJ: Ndahen 100 pasaportat e para mobile përmes Ambasadës në Londër

Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 12:09
Foto ilustrim

Në proces ndarja e 100 pasaportave të para mobile të Republikës së Maqedonisë së Veriut të lëshuara nga Ambasada në Londër! Me vendosjen e stacionit bazë në këtë Ambasadë, u thjeshtua dhe u shkurtua procedura për pajisje me dokument të ri udhëtimi për Diasporën tonë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila më parë zgjaste 4 deri më 6 muaj, njoftojnë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.

Ambasadorja, Aleksandra Miovska theksoi se ky është moment historik për praktikën konsullore dhe se e gëzon feedback-u pozitiv i shtetasve tanë të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë pjesë të botës.

Ky është një moment historik për praktikën konsullore në këtë Ambasadë. Qytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Angli, Skoci, Uells ose në Irlandën e Veriut tani mund t’i ripërtërijnë pasaportat e tyre në mënyrë shumë më të thjeshtë, më efikase dhe më të shpejtë. Më vjen mirë që përshtypjet dhe reagimet e para nga të gjithë ata që e vizituan Ambasadën në 4 javët e fundit janë pozitive. Ky është motivi dhe sfida më e fuqishme për ekipin e Ambasadës, që të vazhdojë të jetë një shërbim efikas në dobi të qytetarëve”, theksoi Miovska.

“Procedura për marrjen e një pasaporte të re ishte shumë e lehtë. Nuk ka pritje të gjata!”

“Investim i shkëlqyeshëm për përshpejtimin e procesit të lëshimit të pasaportave në Përfaqësinë Konsullore në Londër!”

Qëllimi i projektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për vendosjen e stacioneve bazë dhe mobile në Përfaqësitë tona Diplomatike dhe Konsullore (PDK) është plotësimi i nevojave të Diasporës, e cila vite me radhë ankohet për procedurën e ngadalshme të lëshimit të dokumenteve të udhëtimit. Përmirësimi i shërbimeve të PDK-ve tona për Diasporën është prioritet i lartë i MPJ-së, intencë e së cilës është që në periudhën vijuese ky projekt i rëndësishëm të zgjerohet me më shumë PDK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat