Dialogu në faza për arritjen e marrëveshjes finale

Maqedonia

Dialogu në faza për arritjen e marrëveshjes finale

Më: 19 janar 2022 Në ora: 20:28
Kryminsitri bullgar, Kiril Petkov dhe ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski gjatë konferencës së përbashkët për media më 18 janar në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Bullgaria ka ndryshuar qasjen në zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut lidhur me gjuhën, identitetin dhe çështjet historike duke vendosur në plan të parë aspektet ekonomike, zhvillimin e infrastrukturës, shëndetësinë, arsimin dhe fushat tjera, në mënyrë që në fund të mbeten çështjet më të ndërlikuara.

Kjo u bë e ditur gjatë vizitës së kryeministrit bullgar, Kiril Petkov më 18 janar në Shkup, kur me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski lanë në plan të dytë thelbin e kontestit mes dy vendeve, që po mban të bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me bllokun evropian, për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkonte nga Shkupi që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.

Por, kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov që në ditët e para të zgjedhjes në këtë post tha se do të ketë një qasje të re ndaj Shkupit, respektivisht ai ka thënë se do të formohen grupet e punës për të diskuar të gjitha çështjet e bashkëpunimit dypalësh, përskaj atyre historike.

Xhelal Neziri, njohës i rrethanave politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i ri bullgar po dëshmon përkushtim të zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Që në fillim Petkov paralajmëroi se do të fokusohet në gjërat që bashkojnë palët, e jo në momentet për të cilat kanë qëndrime të kundërta. Pra, ai fillon nga ajo që është më e lehtë për t’u zgjidhur, që në fund të vijnë në rend dite në një atmosferë më të relaksuar, në një opinion më ndryshe të vije edhe çështja që ka të bëjë me gjuhën dhe historinë”, thotë Neziri.

Simonida Kacarska nga Qendra për Politika Evropiane (EPI), thotë për Radion Evropa e Lirë se është e mundur që kontesti të zgjidhet hap pas hapi, e jo në paketë.

Në këtë kuadër, Kacarska përmend njoftimin e kryeministrave Kovaçevski dhe Petkov se kanë zgjidhur tashmë çështjen e emrit, respektivisht Bullgaria pranon dy variantet, “Maqedonia e Veriut” dhe “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Deri më tani Sofja insistonte që emri i shkurtër, “Maqedonia e Veriut” pa fjalën “Republikë” të mos përdoret askund për shkak të dyshimeve se Shkupi mund të ketë pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, pasi në territorin e saj ka një zonë me emrin Maqedoni.

“Sigurisht që do të jetë më e lehtë nëse kontesti zgjidhet në faza për të dyja palët dhe ndoshta do të jetë e mundur të gjenden zgjidhje që do të jenë më të pranueshme. Por, secila nga këto lëshime ka të bëjë me tjetrën dhe duhet pasur shumë kujdes kur të bëhen”, thotë Kacarska.

E pyetur nëse është e mundur që gjatë zgjidhjes në faza të problemeve të arrihet që të mbyllen të gjitha dallimeve, dhe ato më të vështirat mbeten të pazgjidhura e Bullgaria sërish të mos e heqë veton, Kacarska thotë një gjë e tillë është e mundur.

“Mendoj se deklarata e kryeministrit Petkov ishte që disa nga mosmarrëveshjet do të mbeten të diskutohen për më vonë, pasi në këtë periudhë duhet të fokusohemi në të ardhmen ekonomike të dy vendeve. Megjithatë, nuk do të thosha se këto koncesione nga ana jonë në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, do të mirëpritet nga të dyja palët. Pra, mbetet të shihet nëse do të arrijmë të mbyllim të gjitha problemet”, thotë Kacarska.

Analisti Xhelal Neziri, thotë se pavarësisht qasjes pozitive të kryeministrit bullgar, kontesti kryesor mund të hasë në probleme, para se gjithash për shkak të deklaratës së miratuar në parlamentin bullgar për “vijat e kuqe”.

“Besoj se do të jetë e vështirë për Petkovin edhe pse ka një energji pozitive, një qasje konstruktive për të zgjidhur më shpejt problemin, pasi në vitin 2019 të gjitha forcat politike kanë arritur një memorandum, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, e cila i është dërguar Komisionit Evropian, që janë vijat e kuqe të Bullgarisë. Prandaj derisa nuk ka një marrëveshje përfundimtare për çështjet e nxehta, nuk do të ketë shpresa për vendin që të heqë veton për të nisur negociatat”, thotë Neziri.

Në rezolutë për “vijat e kuqe”, e ka miratuar edhe Maqedonia e Veriut, që po ashtu mund të paraqesë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, më 2 gusht të vitit 2017, arritën një marrëveshje për fqinjësi të mirë, që synonte zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, por në vend të kësaj, ajo përkeqësoi edhe më shumë raportet duke çuar edhe në veton bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat