Bullgaria shpreh dyshime mbi shifrat e censusit në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Bullgaria shpreh dyshime mbi shifrat e censusit në Maqedoninë e Veriut

Më: 1 prill 2022 Në ora: 19:59
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Bullgarisë ka hedhur dyshime mbi rezultatin e censusit në Maqedoninë e Veriut, ku numri i pakicës bullgare nuk figuron fare në të dhënat e popullatës së regjistruar. Vetëm rreth 3500 qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë deklaruar si bullgarë në regjistrimin e popullsisë të realizuar në shtatorin e vitit të kaluar.

Ministria e jashtme në Sofje ka theksuar se i pranon me rezervë rezultatet e shpallura në Shkup. “Vërejmë një mospërputhje drastike midis të dhënave të shpallura dhe numrit prej mbi 100 mijë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që personalisht kanë marrë dokumente, me anë të të cilave dëshmohet origjina bullgare dhe vetëdija për marrjen e shtetësisë bullgare. Presim që zëri i tyre të arrijë tek autoritetet maqedonase”, thuhet në një komunikatë të MPJ-së bullgare.

Debatet lidhur me shifrat e dalura nga censusi i fundit po vazhdojnë edhe në Maqedoninë e Veriut, sidomos kur 7,2 përqind e popullsisë rezidente nuk janë regjistruar në terren dhe nuk është përcaktuar përkatësia e tyre etnike dhe fetare.

Një pjesë e faktorëve politikë bëjnë thirrje që të mos ngriten tensionet ndëretnike dhe censusi të mos shndërrohet në betejë politike.

Enti Shtetëror i Statistikave, në bazë të ligjit të fundit për regjistrimin e popullsisë, e realizoi censusin në mënyrë të kombinuar, në terren, shtëpi më shtëpi dhe përmes internetit për banorët jorezidentë në diasporë. Gjithashtu, banorëve që nuk ishin gjetur në shtëpi nga regjistruesit, iu mundësua të shkonin në zyrat komunale për t'u regjistruar. Megjithatë, një numër njerëzish e bojkotuan haptazi procesin, me mbështetjen edhe të një pjese të partive konservatore.

Në bazë të të dhënave, Maqedonia e Veriut ka 1 milion e 837 mijë banorë rezidentë, prej të cilëve 58,4% maqedonas, 24.3% shqiptarë, 3,8% turq, 2,5% romë dhe pakica të tjera më të vogla.

Ndërkohë, sipas numrit të përgjithshëm ku është përfshirë edhe diaspora, shqiptarët përbëjnë 29.5%, ndërsa maqedonasit 54.2%. Vetëm rreth 260 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut me banim jashtë vendit e kanë shfrytëzuar të drejtën e vetëregjistrimit nëpërmjet internetit, teksa vlerësohet se numri i diasporës është rreth gjysmë milioni./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat