Maqedonia pret pakon e radhës pas rebalancit të buxhetit

Maqedonia

Maqedonia pret pakon e radhës pas rebalancit të buxhetit

Më: 20 maj 2022 Në ora: 18:54
Ilustrim

Vendet e ndryshme po ndërmarrin masa të ndryshme për zbutjen e ndikimit negativ të krizës energjetike dhe pasojave të luftës në Ukrainë ndaj ekonomive të tyre, si dhe masat për luftimin e inflacionit. Bullgaria ndër të tjerash ka vendosur zero për qind të TVSH-së për bukën, Polonia me qëllim të zbutjes së inflacionit ka anuluar akcizat për karburantet dhe TVSH-në për produktet themelore ushqimore si buka, mishi dhe prodhimet e qumështit prej një shkurtit deri më një gusht të këtij viti për të ngadalësuar rritjen e çmimeve. Shkalla e inflacionit në Poloni në muajin dhjetor 2021 arriti 8.6 për qind në raport me dhjetorin e vitit 2020.

Nga ana tjetër Turqia për të luftuar inflacionin, ka ulur në muajin shkurt TVSH-në nga tetë në një për qind, duke lënë këtë shkallë vetëm për të pasur evidencë se cila është sasia e blerjes dhe harxhimit të produkteve themelore ushqimore. Ulja e normës së TVSH-së në një për qind përfshin miellin, orizin, makaronat, mishin, peshkun, çajin, kafenë, ujin, qumështin dhe produktet e qumështit, djathërat, vezët, vajrat ushqimore, sheqerin dhe produktet e sheqerit, frutat, perimet, arrat, bishtajore dhe ushqime të tjera që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të shportës së konsumit.

Mali i Zi ka ulur akcizën e karburanteve deri në 50 për qind, përkohësisht ka anuluar TVSH–në për miellin dhe vajin ushqimor dhe ka ulur në 7 për qind TVSH-në e kripës dhe artikujt e tjerë themelor ushqimor. Njëherësh në muajin shkurt rriti pagën minimale nga 250 në 450 euro, dhe pagën mesatare nga 530 në 670 euro.

Në Bullgari parashikohet që Tatimi i Vlerës së Shtuar (TVSH) të jetë zero për qind për bukën, parashikohet rritje e pensioneve si dhe ulje tatimesh për familjet me fëmijë dhe ulje të çmimeve të karburanteve, përfshirë benzinën dhe naftën. Këto janë vetëm disa nga masat e paketës kundër krizës të miratuar nga koalicioni qeverisës në Bullgari. Masat me një kosto totale prej 1,8 miliard dollar synojnë të mbështesin qytetarët dhe bizneset përballë krizës së paprecedentë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Pensionet do të rriten prej 1 korrikut mesatarisht 20 për qind, kundrejt 6.1 për qind që ishte parashikuar. Vendimet e koalicionit qeverisës çojnë në një rritje drastike mbi 55 për qind të pensionit minimal, i cili në fillim të vitit të kaluar shkonte në 300 leva apo 150 euro, dhe nga 1 korriku do të jetë 467 leva apo 233 euro. Përllogaritjet tregojnë gjithashtu se për 12 vitet e mëparshme pensionet janë rritur mesatarisht me rreth 100 leva, ndërsa tashmë vetëm brenda një viti rritja do të jetë me 167 leva.

Paketa kundër krizës parashikon gjithashtu kompensim për çmimet e larta të karburanteve. Të gjithë qytetarët deri në fund të vitit do të mund të përfitojnë nga zbritja prej 25 cent për litër për benzinën ​​95 oktan dhe naftën. Për një periudhë njëvjeçare TVSH-ja e bukës do të ulet në 0 për qind. Për sa i përket ngrohjes, TVSH-ja për ngrohjen dhe ujin e ngrohtë pritet të jetë 9 për qind brenda një viti. Gjithashtu, do të ulet në 9 për qind TVSH për gazin natyror për përdoruesit fundorë apo nevojat shtëpiake për një periudhë 1-vjeçare. Përjashtohet nga akciza edhe energjia elektrike, gazi natyror, metani.

Në mbështetje të familjeve me fëmijë, si masë afatgjatë, është planifikuar të rritet masa e lehtësimit tatimor për fëmijët nga 4500 leva në 6000 leva në vit dhe do të mund të përdoret çdo tre muaj gjatë vitit.

Paketa e masave kundër krizës përfshin gjithashtu rritjen e pragut për regjistrimin e detyrueshëm të TVSH-së nga 50,000 në 100,000 leva, taksimi i fitimeve të tepërta të energjisë elektrike për të kompensuar konsumatorët jo familjarë, ulje e normës së interesit në 8 për qind për pagesat e vonuara për shtetin, bashkitë, shërbimet komunale.

Maqedonia e Veriut përskaj rritjes së pagës minimale, rritjes së pensioneve, rritjes së pagave në arsim dhe rritjes së pagave edhe në sektorët e tjerë buxhetor, ka ndërmarrë edhe më shumë masa të tjera për të mbrojtur qytetarët nga kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Pritet të shikohet edhe si do të lëvizin negociatat me sindikatat për harmonizimin e rritjes së pagave me rritjen e pagës minimale dhe rritjen në mënyrë lineare me 3000 denarë të pagave në të gjithë sektorin publik dhe privat. Për të mbrojtur qytetarët nga goditja e çmimeve, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë është miratuar vendim, fillimisht për ngrirjen e çmimeve bazë të produkteve bazë i cili më pas u zëvendësua me vendimin për ngrirjen e marzheve të fitimit me një marzh maksimal tregtar deri në 5 për qind të çmimit të shitjes në tregtinë me shumicë, apo deri në 10 për qind të çmimit të shitjes në tregtinë me pakicë si kusht i veçantë në tregtinë e produkteve ushqimore bazë. Me vendimin përcaktohet që marzha më e ulët vlen për bukën, sheqerin, kripën, miellin – lloji 400, vajin e papërpunuar nga lulediellit dhe vajin e lulediellit për ushqim, qumështi i qëndrueshëm me përmbajtje yndyre prej 2.8, 3.2 dhe 3.5 për qind, mishin e freskët dhe produktet e mishit, djathi dhe gjiza, orizi, vezët, brumërat, misri dhe pemët e perimet.

“Vendimi për ngrirjen e marzhave do të vlejë deri në muajin maj, për shkak në këtë periudhë pritet të miratohet Ligji për sjelljen jo fer të praktikave tregtare, përmes së cilës ndër të tjerash parashikohet edhe kategorizimi i supermarketeve”, theksoi kohë më parë ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Nga ana tjetër, ministri i financave Fatmir Besimi paralajmëroi javën e kaluar se përskaj ristrukturimit të buxhetit në mënyrë që të reagojë në mënyrë adekuate ndaj situatës së re, në Ministrinë e Financave tashmë zhvillohen konsultime me institucionet për nivelin e realizimit të projekteve dhe shpenzimet rrjedhëse, dhe po përgatitet edhe pako e re e masave për popullatën dhe biznesin. “Atë që mund të them me plot siguri si ministër i financave është se do të jemi maksimalisht konservatorë, kudo që lejohet – do të shkurtojmë. Kjo do të krijojë më shumë hapësirë ​​për reagime dhe masa të reja, të cilat në bazë të situatës ndoshta do të nevojiten sërish”, theksoi Besimi.

Nga fillimi i krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve janë sjellë mbi 30 masa në vlerë mbi 600 milionë euro për të mbrojtur amvisëritë dhe ekonominë. Njëherësh janë ndërmarrë edhe më shumë masa që kanë të bëjnë me amortizimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve, çmimeve të karburanteve, efikasitetit energjetik dhe përkrahjes për kompanitë./Koha.mk/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat