Qeveria e RMV-së miratoi ribalancimin e Buxhetit

Maqedonia

Qeveria e RMV-së miratoi ribalancimin e Buxhetit

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 20:46
Foto ilustrim

25 milionë denarë shtesë ose rreth 400 mijë euro janë siguruar me amendamentet e inkorporuara në ribalancimin e buxhetit për këtë vit. Këto para, siç njofton Ministria e Financave, i referohen projekteve në shëndetësi, mjedis dhe infrastrukturë.

Qeveria në seancën e sotme miratoi ribalancimin plotësues të Buxhetit, në të cilin si të hyrat ashtu edhe shpenzimet janë rritur në krahasim me parashikimet fillestare për ribalancimin.

“Paratë e siguruara me pranimin e amendamenteve në seancën komisionere në Kuvend janë për zgjidhjen e problemit me deponinë industriale në Jugokrohm, sigurimin e mjeteve për mamografi për spitalet në Strumicë dhe Negotinë, pastrimin e shtratit të lumenjve Vardar dhe Treska, rikonstruksioni i urës së Moroishkit dhe ndërtimi i rrethrrotullimit, dokumentacioni i projektit për qendrën kulturore në Çegran”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Me ribalancimin, rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.2 për qind e nxitur nga konsumi i brendshëm, i cili pritet të shënojë rritje prej 3.3 për qind.
Investimet bruto pritet të rriten me 5 për qind, ndërsa përveç shpenzimeve kapitale buxhetore, kontribut përkatës pritet edhe nga investimet private.

Ribalancimi i plotësuar është kthyer në Kuvend, por tani për tani në faqen e Kuvendit nuk kanë caktuar seancë për ribalancimin e buxhetit.

Nga ana tjetër qytetarët presin që të përfundojë procedura me ribalancimin, për të parë se çfarë pakete masash antikrizë do të propozojë qeveria. Qeveria ka paralajmëruar ndihmë të re për qytetarët e prekur nga rritja e çmimit të produkteve ushqimore bazë dhe energjisë. Por siç thonë autoritetet, masat e reja do të pasojnë pas miratimit të ribalancimit të Buxhetit.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat