Mariçiq: Reformat janë shumë më tepër se ligjet e reja të BE-së

Maqedonia

Mariçiq: Reformat janë shumë më tepër se ligjet e reja të BE-së

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 20:06
Bojan Mariçiq

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në takimin skrining shpjegues të sotëm për “Funksionimin e institucioneve demokratike”, në fjalën hyrëse deklaroi se kjo është fushë me rëndësi thelbësore për çdo shoqëri demokratike dhe kjo do të kërkojë angazhim maksimal për një agjendë të reformave që do të ndihmojë në përshpejtimin e progresit në këtë fushë të rëndësishme.

“Proceset e reformës nuk kanë të bëjnë vetëm me vendosjen e legjislacionit të ri, por edhe me ndryshimin e mentalitetit dhe stilit të qeverisjes. Ne e dimë dhe kemi përvojë se sa i rëndësishëm është sundimi i ligjit, si dhe të kemi institucione të pavarura dhe efikase që garantojnë të njëjtën gjë”, tha Mariçiq.

Siç ka kumtuar SÇE-ja, zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori Mariçiq theksoi në takim se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të madh në vitet e fundit, veçanërisht në aspektin e sundimit të ligjit dhe kthimit të demokracisë duke ndërtuar institucione të forta dhe funksionale që punojnë mbi parimet e llogaridhënies, transparencës dhe gjithëpërfshirjes, duke iu përgjigjur kështu me sukses prapambetjes së shënuar në Raportin e fundit të Komisionit Evropian.

“Në disa cikle zgjedhore të kaluara, ne kemi demonstruar aftësinë për të organizuar zgjedhje të drejta dhe konkurruese siç është konfirmuar nga OSBE/ODIHR. Në lidhje me reformën zgjedhore, Kodit Zgjedhor janë bërë disa amendamente për adresimin e rekomandimeve në pritje nga Raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, si dhe rekomandimet dhe praktikat më të mira të Komisionit të Venecias”, theksoi Mariçiq, duke shtuar se vazhdimi i Reformës zgjedhore është ndër prioritetet e Qeverisë, përmes një Kodi të ri Zgjedhor gjithëpërfshirës dhe transparent.

Zëvendëskryeministri Mariçiq e theksoi edhe një herë para përfaqësuesve të Komisionit Evropian se është e rëndësishme në Maqedoninë e Veriut që të ketë një konsensus kombëtar për procesin e anëtarësimit dhe se opozita duhet të luajë një rol konstruktiv në përmbushjen e qëllimit tonë strategjik për anëtarësim të plotë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat