Banorët e Lubotenit përballen me mungesë të ujit të pijshëm

Maqedonia

Banorët e Lubotenit përballen me mungesë të ujit të pijshëm

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 15:52
Foto ilustrim

Vazhdon të mbetet i pazgjidhur problemi i kamotshëm i banorëve të Lubotenit me u ujin për pije. Gjatë verës në çezmat e tyre shpesh nuk rrjedh ujë, ndërsa gjatë dimrit ai është kryesisht i turbullt. Për pije nuk e shfrytëzojnë aspak, sepse kanë frikë për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve. Tashmë disa vite zgjidhjen e kanë gjetur tek çezma e fshatit. Dikur, dekada më parë, uji mbushej me shtamba në krua, sot në shekullin 21 qytetarët mbajnë radhë për t’u furnizuar me ujë për pije nga çezma e fshatit. Shtambat janë zëvendësuar me shishe plastike dhe ndërsa karrocat me kuaj që përdoreshin dikur për transport, janë zëvendësuar me vetura bagazhet e të cilave mbushen përplot me shishe.

“Këtu vijmë… ja që kur e kemi sjellë ujin, që në vitin 2010. Uji është më I mirë. Nuk ka kështu ujë askund. Të kërkosh me këmbë të kalit. Unë jam nga Luboteni. Kur bie shi ai nëpër shtëpi turbullohet. Nuk është I mirë për t’u pirë. Atë e kemi vetëm për të larë”, tha një banor.

“ Jo nëpër shtëpi. Ja të gjithë mbushim këtu.
Përse mbushni këtu?
– Sepse është më i mirë, gëlqere nuk ka. Kur të mbushesh çajnikun në shtëpi me ujë si ky, ja largon gëlqeren. Kur bie shi del I turbullt, por ne kemi puse. Që dhjetë vjet, madje 20 vjet, kemi shkuar atje në vend kemi mbushur, tek burimi. Nuk është i pastër, të vjen neveri ta pish. Nuk është I pastër”, theksoi një banor.

Por nga çezma e fshatit ujë nuk mbushin vetëm banorët e Lubotenit, por edhe ata të komunave të tjera, të cilët gjithashtu ankohen se uji në çezmat e tyre nuk është i pijshëm.

“Jetoj në Hasanbeg. Që 13 vite vij dhe mbush ujë këtu. Nuk pihet uji në Hasanbeg. Unë nuk e pijë dot, sepse i vjen era si ujë tualeti. Ato gypa janë vendosur para viteve 70, apo 65, unë ende s’kisha lindur. Ende ashtu janë. Unë vij çdo 10 ditë. Veturën e mbush plot”, shtoi një banor.

Nga Komuna e Butelit nuk dhanë përgjigje në pyetjen se a janë bërë analiza laboratorike për të ditur saktë nëse uji në shtëpitë e banorëve të Lubotenit është apo jo i pijshëm.

Ujësjellësi në Luboten është ndërtuar me mjete nga banorët e fshatit dhe ata vetë kujdesen për mirëmbajtjen e vazhdueshme të tij. Komuna e Butelit aktualisht është në fazën e gjetjes së një zgjidhjeje të përhershme për furnizim të vazhdueshëm me ujë të vendbanimeve Lubanc dhe Luboten për çfarë gjithashtu publiku do të informohet”, thonë nga Komuna e Butelit.

Ky problem mbetet i pazgjidhur për disa dekada edhe përkundër premtimeve të shumta, veçanërisht para proceseve zgjedhore kur kandidatët kërkojnë votën e qytetarëve. Siç ka dëshmuar koha, premtimet e tilla harrohen pasi fituesi i zgjedhjeve ulet në karrigen e drejtuesit të komunës./Alsat.mk

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat