Fushata kryesimi me OSBE-në, përplasje SHGM – MPJ

Maqedonia

Fushata kryesimi me OSBE-në, përplasje SHGM – MPJ

Më: 5 janar 2023 Në ora: 19:15
Foto ilustrim

Ministria e Jashtme korrupton mediat me fushata promovuese në mediat private në vlerë prej 100.000 euro – reagojnë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Reagimi vjen pasi MPJ-ja me një agjenci private të marketingut ka arritur marrëveshje për PR fushatë për kryesimin me OSBE-në.

SHGM-ja thotë se një veprim i këtillë është në kundërshtim me vendimin qeveritar të 22 Gushtit 2017, me të cilin, praktikisht vihet moratoriumi I reklamave qeveritare në mediat private.

“Kjo praktikë e mënyrës së shtrenjtë dhe selektive të blerjes së hapësirës mediatike përmes fushatave qeveritare nuk mund të konsiderohet si mbështetje për mediat, por si përpjekje për t’i korruptuar ato dhe njëkohësisht për të promovuar propagandën politike në dëm të interesit publik” – thonë nga SHGM.

Nga Ministria e Jashtme, thonë se angazhimi i Agjencisë gjatë Kryesimit me OSBE-në paraqet punë të rregullt për çdo Kryesues me organizatën dhe aktivitetet të cilat janë paraparë nuk janë për pi-ar, por për qasje të organizuar ndaj sfidave për komunikim strategjik të vendit si vend-kryesues me Organizatën më të madhe rajonale të sigurisë.

Nga Ministria e Jashtme thonë se ueb-banerat kanë karakter informativ dhe edukativ dhe përmes tyre në asnjë mënyrë nuk promovohet ministria dhe as puna e saj dhe se kjo nuk bie ndesh me praktikat aktive ligjore.

“Pavarësisht mundësive ligjore, pas sugjerimit të ardhur sot nga SHGM-ja, Ministria e Punëve të Jashtme do të ndërpresë fushatën e planifikuar njëjavore përmes përdorimit të ueb-banerave në internet. Në interes të punës transparente, aktivitetet e mundshme në të ardhmen nga aspekti i komunikimit do të bëhen në koordinim me shoqatat e gazetarëve dhe përfaqësues sektorit civil” – thonë nga MPJ.

Krahas Komunikimit Strategjik, siç thonë nga MPJ-ja, angazhimi i Agjencisë në pjesën më të madhe i referohet mbështetjes së Këshillit të Ministrave, një projekt kompleks i cili parasheh praninë dhe aktivitetet e organizuara të mbi 70 delegacioneve nga e gjithë bota, të cilat pritet të drejtohen në nivel më të lartë diplomatik, në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat