Osmani: Zgjedhjet e rregullta në vitin 2024

Maqedonia

Osmani: Zgjedhjet e rregullta në vitin 2024

Më: 6 maj 2023 Në ora: 14:23
Bujar Osmani

Ndryshimet kushtetuese nuk janë kontraverse, nuk janë të rrezikshme për askënd dhe vetëm sa do të forcojnë pozitën tonë si vend ku komunitetet dhe qytetarët kanë të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive. Si shtet jemi më të mirët në atë fushë dhe vetëm do ta forcojmë atë pozicion.

Kështu ka thënë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, në një intervistë për emisionin “Trilling” të transmetuar në Televizionin 24. Në intervistën për “Trilling”, Osmani flet për polarizimin e shoqërisë të kontrolluar nga kalkulimet e ngushta partiako-politike dhe pasojat e mundshme negative të veprimeve të tilla.

“Deri më tani nuk kemi parë ndonjë argument të rrezikshëm në ndryshimet kushtetuese. Sjellja e opozitës synon të polarizojë shoqërinë dhe t’i bëjë zgjedhjet e ardhshme një lloj referendumi për ndryshimet kushtetuese. Opozita luan me atë kartë, prenë atë ndjenjë te qytetarët që janë dukshëm të zhgënjyer, por me të drejtë, në raport me atë se si duket procesi europian tek ne. Por kjo është një qasje e pandershme, si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj shtetit”, ka theksuar Osmani në intervistë.

Në këtë drejtim, Osmani ritheksoi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë në mandatin e rregullt, pranverë 2024.

Deri atëherë, mospjesëmarrja e opozitës në çështje të rëndësishme për shtetin sipas Osmanit vlerësohet si mendjelehtësi politike.

“Opozita kur vendosen çështje të rëndësishme për shtetin, si dikur dhe tani, nuk është në tavolinën ku merren vendimet dhe më pas del në rrugë. Nëse nuk dini si t’i zgjidhni problemet, të paktën mos i bllokoni ato procese”, ka kërkuar Osmani.

Osmani tha se nuk parasheh dinamikë të mirë të brendshme dhe rajonale të proceseve politike, nëse Maqedonia e Veriut deri në fund të këtij viti nuk i bën ndryshimet kushtetuese të rëndësishme për rrugën e integrimit evropian të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat