Dibrës i kthehet epidemiologu i pensionuar

Maqedonia

Dibrës i kthehet epidemiologu i pensionuar

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 21:24
Foto ilustrim

Gjatë vitit të kaluar institucionet shëndetësore në Dibër për shkak të pensionimeve mbetën pa disa specialist. U pensionuan mjekë specialist si nga Spitali i Përgjithshëm ashtu edhe nga Njësia për shëndet publik që funksionon në Dibër e që është në kuadër të Entit për shëndet publik në Ohër. Pensionimi i mjekëve specialist shkaktoi probleme të mëdha në institucionet në fjalë, meqë pacientët nga ana e tyre filluan të dërgohen në Spitalet e Strugës, Ohrit, Tetovë dhe Shkupit.

Këto ditë nga Ministria e Shëndetësisë ka ardhur një lajm i cili ndoshta është shumë domethënës për mjekët që u pensionuan, por njëkohësisht kanë kërkuar të kthehen në punë me kontrata me qëllim që t’ju ndihmojnë institucioneve shëndetësore në Dibër, gjë që do të parandalonte endjen e pacientëve në spitalet tjera.

Mjeku specialist i njohur dibran, epidemiologu Dr Mentor Mela ka marrë një vendim nga ministri Fatmir Mexhiti me të cilin nënshkruhet kontratë për angazhim të tij si epidemiolog në Njësinë për shëndet publik në Dibër. Është ky një sinjal pozitiv për t’i kthyer edhe specialistët e tjerë të pensionuar, thonë dibranët.

Epidemiologu Mentor Mela i cili është edhe mjeku specialist që zbuloi rastet e para të prekur nga virusi i rrezikshëm Kovid 19,në Dibër por edhe në RMV, në muajin nëntor të vitit të kaluar ju ndërpre marrëdhënia e punës në Njësinë për shëndet publik në Dibër për shkak të pensionimit të tij. Mela doli në pension kurse institucioni shëndetësor mbeti pa epidemiolog. Njësia e shëndetit publik në një situatë të këtillë ishte e detyruar që shumë pacientë nga Dibra t ‘i përcjell në Spitalin e Strugës dhe Ohrit. Mela për gazetën Koha thotë se pas pensionimit në vitin 202 , ka bërë kërkesë për të vazhduar angazhimin e tij si epidemiolog me kontratë.

Desha që t’i ndihmojë institucionit. Si epidemiolog isha i vetëm në Dibër dhe kisha parasysh që t’ju ndihmohet edhe pacientëve. Por, kaluan shumë muaj edhe pse pata një kërkesë në Ministri nuk kisha përgjigje. Bisedova shpesh herë me Entin për Shëndet Publik të Ohrit, ku faktikisht është edhe udhëheqësia kryesore ku bën pjesë edhe njësia e Dibrës. Dje më arriti vendimi që me kontratë për punë të angazhohen përsëri në Njësinë për Shëndet Publik si ekspert i epidemiologjisë”, thotë për gazetën Koha, Mentor Mela.

Mela sqaron se është një gjest i mirë i Ministrisë që Dibra të mos mbetet pa epidemiolog. Ai potencon se dekada me radhë ka dhënë një kontribut të madh në sferën e epidemiologjisë si në Dibër ashtu edhe në komunat rurale për rreth Dibrës. Kthimi në punë me kontratë i epidemiologut Mentort Mela nga ana e Ministrit Fatmir Mexhiti ndoshta është një sinjal pozitiv të kthimit edhe të disa mjekëve në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër.

Vitin e kaluar nga ky Spital u pensionuan disa mjek specialist, mes tyre edhe Dr. spec Baki Alili ekspert për otoralingologji si dhe internisti i njohur Dr Lavdërim Sela. Edhe pse Dibra ka patur nevojë për këta specialist, Ministria e Shëndetësisë ka qenë e prerë që atyre të mos u jepet mundësia të punojnë me kontratë. Prandaj vendimi i fundit i këtyre ditëve që vjen nga Ministria është një shpresë për t’i kthyer në punë me kontrata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat