Gjendja e pacientëve të zjarrit mbetet stabile! Deklarohet Taravari

Maqedonia

Gjendja e pacientëve të zjarrit mbetet stabile! Deklarohet Taravari

Më: 19 mars 2025 Në ora: 18:24
Në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori”

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari bëri të ditur se gjendja e pacientëve të zjarrit që ndodhi në Koçan është relativisht stabile dhe se asnjë nga të lënduarit nuk ka ndërruar jetë. Ai shtoi se nga gjithsej 178 pacientë të lënduar, 64 janë duke u trajtuar në institucionet shëndetësore publike në vend, 13 pacientë në ato private dhe 101 pacientë po trajtohen në qendrat mjekësore të huaja.

“Për momentin në shtet tek ne mjekohen afër 75 pacientë, 65 janë në klinikat shtetërore 12-13 janë te klinikat private. 101 pacientë janë jashtë shtetit. Pas mbledhjes së shtabit të krizës në mëngjes konstatuam se të gjithë pacientët fatmirësisht janë në gjendje relativisht stabile uroj dhe shpresoj që dalëngadalë të fillojmë disa prej tyre pacientëve të lëshohen në shtëpi. Sot 3 pacientë do të lëshohen në shtëpi prej qendrës klinike, transferimi i fundit do të bëhet sot”, tha Arben Taravari

Në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” aktualisht ndodhen 15 pacientë të lënduar nga zjarri tragjik në Koçan. 3 prej tyre janë planifikuar për transferim jashtë vendit.

“Gjendja e pacientëve është stabile për sa i përket parametrave vitalë. Për sa i përket llojit të operacionit që kryhen së bashku me ekipet e ndihmës nga Qendra të Specializuara bëhet fjalë për heqjen e indeve të vdekura, dhe të lëmë hapësire që këto plagë të shërohen. Mos të hy në detaje se çfarë po bëhet, por duhet të kemi parasysh se në këto ditë, përveç që është monitoruar përkeqësimi potencial, por duhet të riparoheshin lëndimet për ato pacientë që nuk ishin në rrezik për jetë për fazën e parë”, tha Sinisha Stojanovski.

Drejtori i fondit për sigurim shëndetësor Sasho Kleokovski tha se pacientët me djegie të rënda vazhdojnë të dërgohen në spitalet e specializuara jashtë vendit, ndërsa numri i vendeve në të cilat trajtohen mund të rritet nga 12 në 14, tha sot drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor.

“Në Bullgari kemi nëntë pacientë në ‘Pirogov’ në Sofje, tre në Akademinë Mjekësore Ushtarake të Varnës dhe po aq në Plovdiv. Në Greqi, tre persona janë në spitalin ‘Papanikolau’ në Selanik dhe disa të tjerë në objekte të tjera shëndetësore në Selanik dhe Athinë”, deklaroi Sasho Klekovski .

Klekovksi poashtu tha se fazat e mëtejshme janë specifike dhe kërkojnë përvojë, prandaj siç shtoi kanë vendosur që pacientët t’i dërgojnë jashtë shtetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat