Mbi 70 të lënduar trajtohen në vend, gjendja e tyre stabile

Maqedonia

Mbi 70 të lënduar trajtohen në vend, gjendja e tyre stabile

Më: 20 mars 2025 Në ora: 15:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Prej 20 pacientëve që kanë qenë në gjendje më kritike nga të lënduarit e zjarrit në Koçan, 10 prej tyre ende vazhdojnë të jenë në gjendje më kritike por që janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa 10 të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme, shkruan Alsat.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se 101 pacientë po trajtohen jashtë vendit. Ai tha se të gjithë pacientët që do të lëshohen për trajtim shtëpiak do t’i nënshtrohen analizave toksikologjike.

“Gëzohem që informatat  janë të mira që të gjithë pacientët janë stabil dhe në gjendje jashtë rrezikut për jetë. 72 pacientë po shërohen këtu në Maqedoni dhe 101 pacientë janë jashtë shtetit. Prej 72 pacientëve që janë në Maqedoni, 35 janë në Qendrën Klinike, 15 në 8 shatori, 11 në spitalin e përgjithshëm të qytetit dhe vetëm 1 në Shtip. 3 pacient janë lëshuar të shërohen në shtëpi, ditët në vijim do të ju informojmë për pacientët që do i lëshojmë në shtëpi”, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.

Në Serbi momentalisht po trajtohen 29 pacientë. Mjeku Ivan Lekoviq, në Akademinë Mjekësore Ushtarake tha se në këtë Klinikë po trajtohen 10 pacientë, 6 prej të cilëve janë në kujdes intensiv, dhe se të gjithë janë në gjendje të rënd dhe të vështirë.

I vetmi zhvillim pozitiv është se një pacient është larguar nga reparti i kujdesit intensiv dhe është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike,  jeta e tij nuk është më në rrezik, por sipas mjekut ka ende një luftë të madhe për shërim.

Në ndërkohë vazhdon aksioni për dhurimi e gjakut për të lënduarit nga Koçani. Studentë nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Kragujevcit morën pjesë në aksionin e dhurimit vullnetar të gjakut.

Reparti i transfuzionit në Qendrën Klinike Universitare në Kragujevc nga ora e 08:00h mëngjes ishte i mbushur plot, ndërsa studentët theksuan se në këtë mënyrë kanë dashur t’u ndihmojnë pacientëve të lënduar nga Koçani, por edhe të inkurajojnë të gjithë qytetarët që t’i bashkohen këtij aksioni dhe të dhurojnë gjak.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat