Distancimi i Taravarit nga VLEN, Ganiu: Veprim zhgënjyes

Maqedonia

Distancimi i Taravarit nga VLEN, Ganiu: Veprim zhgënjyes

Më: 19 prill 2025 Në ora: 19:02
Visar Ganiu

Kryetari i Komunës së Çairit, dhe përfaqësues i Koalicionit VLEN, Visar Ganiu, në një intervistë për edicionin e lajmeve në Alsat M, ka deklaruar se nuk ka më komunikim zyrtar me Arben Taravarin dhe grupin e tij brenda Aleancës për Shqiptarët, duke e cilësuar rikthimin e tyre te BDI-ja si veprim të paarsyeshëm dhe zhgënjyes.

“Nuk kemi komunikim zyrtar me Taravarin. Tek-tuk lajmërohen sepse ne kemi shoqëri tonën edhe atje dhe, nga informatat që i kemi në strukturat, nga njerëz të cilët janë kalitur dhe e kanë themeluar Aleancën për Shqiptarët ose kanë krijuar një ideologji kundër BDI-së si oponent, janë shumë të zhgënjyer”, u shpreh Ganiu.

Ai shtoi se është e pamundur të kuptohet racionalisht se çfarë po ndodh me Taravarin dhe drejtuesit e tij politikë.

“Ne nuk po mund as ta imagjinojmë dhe as ta shpjegojmë në mënyrë racionale se çka po ndodh me Taravarin dhe grupin e tij që ka në Aleancën për Shqiptarët, për arsye se nuk ka një vit që ata u larguan nga koalicioni me BDI-në, e dini me cilin narativ, se janë të korruptuar dhe pas një viti të rreshtohen apo të bëjnë koalicion me një parti që funksionarët e tyre po bredhin gjyqeve e burgjeve si pasojë e korrupsionit të skajshëm dhe një parti e cila është nongrata për ndërkombëtarët”, tha Ganiu.

Ganiu vlerësoi se ky veprim nuk është në përputhje me parimet që kishte ndjekur më herët Aleanca për Shqiptarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat