Gashi dhe Shaso diskutojnë përkrahjen zvicerane për demokracinë

Maqedonia

Gashi dhe Shaso diskutojnë përkrahjen zvicerane për demokracinë

Më: 19 maj 2025 Në ora: 18:06
Pamje nga takimi

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me Didie Shaso, ambasador dhe ndihmësdrejtor i përgjithshëm, udhëheqës i Departamentit për Evropën dhe Lindjen e Afërt në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Në atmosferë miqësore dhe konstruktive, siç njoftoi pres shërbimi i Kuvendit, Gashi shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme nga Zvicra dhe SDC-ja për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Theksoi se kjo mbështetje, përveç aspektit financiar, paraqet kontribut të rëndësishëm në avancimin e proceseve demokratike, parlamentarizmit dhe zhvillimit institucional.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë dhe rezultateve të deritanishme të Programit të Mbështetjes Parlamentare, i cili tashmë ka sjellë përfitime konkrete dhe të dukshme – siç janë hartimi i Planit Strategjik të Kuvendit, digjitalizimi i Kuvendit, themelimi dhe zhvillimi i Institutit Parlamentar, Zyra Buxhetore e Kuvendit, roli mbikëqyrës i Kuvendit, si dhe avancimi i platformave që mundësojnë transparencë dhe qasje më të madhe të institucionit për qytetarët”, thuhet në kumtesë.

Shaso shprehu kënaqësinë e tij për suksesin e proceseve dhe operacionalizimin e instituteve që janë vendosur nëpërmjet bashkëpunimit në kuadër të Programit të Mbështetjes së Kuvendit.

Bashkëbiseduesit ranë dakord që ky bashkëpunim i rëndësishëm duhet të vazhdojë përmes bashkëpunimit të ngushtë me Ambasadën Zvicerane dhe partnerët, të tillë si NDI-ja, pasi Kuvendi mbetet i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me partnerët ndërkombëtarë në drejtim të forcimit të kapaciteteve parlamentare dhe perspektivës evropiane të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat