MPB: Zbardhet rasti i dhunës ndaj 11-vjeçares në Çair

Maqedonia

MPB: Zbardhet rasti i dhunës ndaj 11-vjeçares në Çair

Më: 2 shtator 2025 Në ora: 12:08
Foto ilustrim

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup ka zgjidhur rastin e sulmit ndaj vajzës nga Çairi, të kryer nga të mitura, të cilat e kanë filmuar ngjarjen dhe e kanë publikuar në rrjetet sociale.

Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga oficerët e policisë nga Njësia për Intervenim të Shpejtë dhe Stacioni Policor Bit Pazar, është vërtetuar se më 20.06.2025 rreth orës 14:00 në rrugën “Pavle Iliç” në Shkup, pranë një objekti ushqimor, një vajzë 11-vjeçare është sulmuar fizikisht nga tre vajza, dhe një vajzë e ka filmuar sulmin me telefon celular.

Këto ditë, videoja e sulmit është publikuar në rrjetet sociale, dhe ngjarja më 01.09.2025 është raportuar në stacionin policor edhe nga babai i vajzës së sulmuar, i cili tha se ka mësuar për ngjarjen nga rrjetet sociale, dhe vajza e tij nuk i ka treguar asgjë nga frika se mos sulmohet përsëri.

Të miturit dhe prindërit e tyre janë thirrur në stacionin e policisë dhe pas dokumentimit të rastit, do të ngrihen kallëzime përkatëse në lidhje me veprat penale të “dhunës” dhe “xhirimit pa leje”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat