Mbrëmë në sheshin “Iliria” në Tetovë u mbajt një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje, ku morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të koalicionit VLEN, në një ngjarje që u cilësua si dëshmi e lidhjeve të forta politike dhe kombëtare mes shqiptarëve në rajon.
Në tubim ishte e pranishme edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me përfaqësues të VLEN-it, përfshirë bashkëkryetarët Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, sekretarin e përgjithshëm Bekim Sali, nënkryetarët Bekim Qoku dhe Mimoza Musa, si dhe deputetë, ministra e një numër i madh aktivistësh.
Pas Shkupit, edhe Tetova u shndërrua në skenë të një mesazhi të qartë politik e simbolik: lidhjet mes Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut u theksuan si të forta, të natyrshme dhe të pandashme. Pjesëmarrësit theksuan se bashkëpunimi politik dhe kombëtar mbetet çelësi për fuqizimin e zërit shqiptar në rajon.
“Për shtet, krejt – shtet për krejt”, u përsërit mesazhi që shoqëroi tubimin, duke e vendosur Tetovën si një tjetër pikë të rëndësishme në rrugëtimin politik të këtij bashkëpunimi.