Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar mot të paqëndrueshëm gjatë pasdites së sotme, të shoqëruar me erëra të forta, reshje shiu dhe bubullima.
Sipas njoftimit të DPHM-së, moti i paqëndrueshëm tashmë ka përfshirë rajonin e Shkupit dhe Kumanovës, ku janë regjistruar reshje shiu dhe erëra të fuqishme.
Autoritetet meteorologjike bëjnë të ditur se masa e ajrit me erë të fortë po lëviz nga pjesa veriperëndimore drejt pjesës juglindore të vendit, duke paralajmëruar përkeqësim të kushteve atmosferike edhe në zonat e tjera.
Qytetarëve u rekomandohet të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në ambiente të hapura, për shkak të mundësisë së erërave të fuqishme dhe shkarkimeve elektrike.