Më shumë se një mijë lopë, që enden të lira nëpër Kriva Pallankë të Maqedonisë së Veriut, po shkatërrojnë prona dhe po shqetësojnë banorët.
Kryetari i komunës i ka kërkuar qeverisë të shpallë gjendjen e krizës për 30 ditë, me qëllim trajtimin e këtij problemi, raporton Euronews.
Autoritetet vendore në këtë komunë, që ndodhet në verilindje të vendit, bëjnë të ditur se kafshët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore dhe pronat komunale.
Kryetari i komunës, Sashko Mitovski, ka kërkuar nga qeveria shpalljen e gjendjes së krizës për 30 ditë, duke paralajmëruar se situata po përkeqësohet vazhdimisht.
Sipas tij, numri i lopëve që enden të lira është rritur nga rreth 400, sa ishin pesë vjet më parë, në më shumë se një mijë sot.
Kryetari Mitovski shpreson se shpallja e një gjendjeje të përkohshme krize do t'u mundësojë autoriteteve vendore dhe qendrore të gjejnë një zgjidhje të përhershme për këtë problem.