Rasti "Alta Banka" është kthyer në përplasjen më të ashpër të kësaj vjeshte mes dy partive kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut. VLEN-i, pjesë e qeverisë, kërkoi të enjten dorëheqjen e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa BDI-ja u dha pushtetarëve 24 orë kohë për të kërkuar falje publike, përndryshe do t'i padisë për shpifje.
VLEN: Ahmeti të tërhiqet nga politika
Në një konferencë për shtyp, kryetari i komunës së Zhelinës nga VLEN, Blerim Sejdiu, akuzoi BDI-në se gjatë qeverisjes së saj i hapi rrugën hyrjes së bizneseve serbe në vend.
"Ministrat e BDI-së kanë propozuar dhe mbështetur vendime që mundësuan bashkëpunimin ndërmjet shtetit dhe Alta Bankës nga Beogradi", tha Sejdiu. Në listën e tij ai përfshiu edhe Daka Davidoviqin në Tetovë, operatorin MTel, nismën "Ballkani i Hapur", të cilën e quajti projekt të Vuçiqit, tenderin e dështuar të Lotarisë Shtetërore dhe takimet me zyrtarë serbë kur Bujar Osmani ishte ministër.
"Ali Ahmeti duhet të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të BDI-së dhe të tërhiqet përfundimisht nga politika. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të BDI-së, por edhe faktorëve politikë që bashkëpunojnë me këtë udhëheqësi, të distancohen nga ky turp", deklaroi ai.
BDI: Falje brenda 24 orësh ose padi
BDI-ja i hodhi poshtë akuzat si shpifje. Zyrtari i saj, Arbër Ademi, paralajmëroi padi ndaj të gjithë atyre që e lidhin kryesinë e partisë me bankën serbe.
"Ne i ftojmë përfaqësuesit e shumicës qeverisëse që, një nga një, brenda 24 orëve, të tregojnë të vërtetën dhe t'i kërkojnë falje publike Bashkimit Demokratik për Integrim dhe lidershipit të saj për gënjeshtrat dhe shpifjet e bëra në opinion. Në të kundërtën, BDI-ja do të ndërmarrë të gjithë hapat juridikë dhe do të ngrejë padi ndaj atyre që kanë shpifur", tha Ademi.
Sipas BDI-së, dera iu hap Alta Bankës me një vendim të vitit 2025 të qeverisë aktuale, ku VLEN-i është partner bashkë me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM-in.
Si nisi përplasja
Akuzat u ashpërsuan pas seancës së së mërkurës në Komisionin për Financa dhe Buxhet, ku kryeministri Hristijan Mickoski paraqiti procesverbalin e një mbledhjeje të qeverisë së Dimitar Kovaçevskit nga tetori i vitit 2023. Sipas interpretimit të tij, me propozim të ish-ministrit të Financave nga BDI, Fatmir Besimi, Avokatura e Shtetit u autorizua të hynte në marrëdhënie afariste me Alta Bankën e Beogradit. BDI-ja thotë se ai vendim synonte të kundërtën: të mos lejohej shitja pa autorizim e pronës shtetërore.
Në të njëjtën seancë, deputeti i VLEN-it Adnan Azizi pretendoi se pronari i kompanisë AS Senjak, që shiti aksionet e bankës së Manastirit te Alta, ka lidhje miqësore ose krushqie me Ahmetin. Deri tani asnjë institucion hetimor nuk e ka konfirmuar ndonjë lidhje personale apo familjare, ndërsa vetë Ahmeti nuk ka dhënë përgjigje personale për këto pretendime.
Kallëzime penale për LSDM-në
Rasti ka ndezur edhe skenën maqedonase. Banka Popullore konfirmoi se ka ngritur kallëzime penale ndaj katër zyrtarëve të lartë të LSDM-së, për deklarata që i cilëson si akuza të rënda dhe të pabaza për gjendjen e bankës. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, paralajmëroi se partia e tij do të ngrejë kallëzime të veta për hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas.
Çfarë ndodh me depozitat
Kriza nisi në Beograd, ku Banka Kombëtare e Serbisë ia hoqi licencën Alta Bankës në fund të tetorit dhe nisi procedurën e falimentimit. Më 1 nëntor, Banka Popullore në Shkup vendosi administrim të përkohshëm në Alta Bankën e Manastirit dhe kufizoi tërheqjet me kartelë në 10 mijë denarë në javë.
Guvernatori Trajko Sllaveski ka thënë se banka është e kapitalizuar mirë dhe likuide, se depozitat janë të siguruara deri në 30 mijë euro dhe se gjashtë investitorë kanë shfaqur interes për ta blerë. Mickoski ka deklaruar se banka nuk do të falimentojë dhe se ankandi për shitjen e saj pritet nga fundi i nëntorit ose në fillim të dhjetorit.