A do ta shpallë Kushtetuesja të pavlefshme votën e Arifit? Flet juristi dhe tregon se cili është qëllimi i gjykatës

Politika

A do ta shpallë Kushtetuesja të pavlefshme votën e Arifit? Flet juristi dhe tregon se cili është qëllimi i gjykatës

Nga: G.B Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 17:40
Gjykat Kushtetuese

Për pesë orë sot është mbajtur seanca dëgjimorë në Gjykatën Kushtetuese, për kushtetutshmërinë e zgjedhjes së qeverisë Hoti.

Kryetarja e gjykatës, Arta Rama-Hajrizi iu bëri të ditur palëve se mundet deri të hënën e javës së ardhshme të dorëzojnë edhe me shkrim argumentet e përmbledhura, derisa tha se vendimi për votën e deputeti Etem Arifi në lidhje me zgjedhjen e qeverisë do të merret ditëve në vijim.

Lidhur me këtë, juristi Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk është punë e gjykatës që të merret me atë se a është e ligjshme vota e deputetit Arifi apo jo dhe ai shprehet i habitur që Kushtetuesja ka kërkuar seancë dëgjimore për këtë rast.

“Konsideroj se kjo nuk ishte punë e gjykatës, të merret me atë se a ishte vota e Arifit e ligjshme dhe kushtetuese a jo, për shkak se kjo gjykatë nuk e ka këtë mandat, të verifikojë se a është apo nuk është deputet. E dyta, Gjykata nuk merr as nuk jep mandate. Gjykata Kushtetuese nuk merret me zbrazëtirat kushtetuese apo ligjeve, prandaj kishte kërkuar nga Kuvendi se a ka pasur raste të tilla të ngjashme dhe cilat praktika ka ndjekur. A ishte ende deputet i kuvendit Arifi a jo, kjo nuk i takon gjykatës të merret me të. Arifi nuk ka munguar gjashtë muaj nga seancat për të humbur të drejtën e qenit deputet. Pak jam çuditur që ka kërkuar seancë dëgjimore Gjykata Kushtetuese, sepse kjo çështje është e qartë, kjo gjykatë nuk konstaton mandate, nuk verifikon mandate e as nuk shlyen mandate të deputetëve”, është shprehur ai.

Sipas Burjanit, gjykata duhet të deklarohet vetëm se a ka qenë deputet Arifi në kohën kur është votuar qeveria.

Image
Blerim Burjani

“Kjo gjykatë duhet të deklarohet vetëm se a ka qenë deputet në kohën kur është votuar qeveria, me fjalë tjera a ka pasur mandat deputeti si dhe a ka munguar 6 muaj nga seancat dhe për këtë arsye i është marrë mandati dhe se kthimi i tij në Kuvend edhe pas 6 muajve të mungesës së tij ka qenë i paligjshëm. Kjo i bie që Gjykata duhet në verdiktin e vet të shkruajë se ai ishte deputet me mandat të plotë, përkundër fakteve tjera dhe se kjo nuk e zhvlerëson votimin e tij”, ka vlerësuar Burjani për “Bota sot”.

Ai shton se kjo gjykatë gjithmonë tenton të bëjë balancë politike dhe edhe këtë herë do të jetë një verdikt i shkruar shumë gjatë me gjëra të panevojshme.

“Kjo gjykatë gjithmonë tenton të bëjë balancë politike, edhe kësaj here do të jetë një verdikt i shkruar gjatë si zakonisht me gjëra që nuk janë të nevojshme t’i ketë, por sidoqoftë arsyetimi i vendimi të saj është gjithëpërfshirës”, ka theksuar ai.

Sipas Burjanit, do të ishte më mirë që gjykata në verdiktin e saj të shkruajë se nuk ka kompetenca për tu marrë me këtë çështje dhe se qeveria është zgjedhur me 61 vota.

“Më mirë do të ishte që kjo gjykatë në verdiktin e saj të shkruajë se nuk është kompetente për të marrë dhe për të verifikuar postin e deputetit krahas Kuvendit dhe organeve tjera, pra kjo çështje nuk është e qartë se a është dashur gjykata të merret me të a jo. Kuvendi me 61 vota ka zgjedhur mandatarin dhe qeverinë e re, nuk është që ka munguar një deputet. Tash a është prania e tij pas nxjerrjes së vendimit gjyqësor të plotfuqishëm është diçka tjetër. Ky kontest më tepër është politik se sa kushtetues ose i organeve tjera”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat