“Kurti kurrë nuk do ta bëjë president”, i shuhen shpresat Haradinajt – profesori jep parashikimin për zhvillimet dramatike mes VV-së e AAK-së

Politika

“Kurti kurrë nuk do ta bëjë president”, i shuhen shpresat Haradinajt – profesori jep parashikimin për zhvillimet dramatike mes VV-së e AAK-së

Nga: N. H Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 22:42
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar një përafrim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi kreu i kësaj partie të fundit ka kritikuar ashpër PDK-në.

Mirëpo, në lidhje me këto raportime, zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu ka thënë se qëndrimet e kësaj partie vazhdojnë të mbesin të njëjtat, derisa ka shtuar se nuk është i njoftuar për ndonjë takim mes këtyre partive.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një debat televiziv ka akuzuar rëndë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), derisa i ka quajtur zyrtarët e kësaj të fundit si “hajnat e klanit pronto”.

“Këta që po thonë Ramushi le të na kthej borxhin, i kam nxjerrë nga opozita. Më ka sharë një Kosovë që jam bërë me hajnat e ‘Prontos’. I kam nxjerrë nga opozita dhe i kam pru në pushtet. Kur i kam pru në pushtet janë munduar çdo ditë të më rrëzojnë pasi që kam ngulur këmbë për njëfarë takse. Janë njerëzit e njëjtë që e kanë themeluar Gjykatën Speciale”, kishte thënë ai, deklaratë kjo që shtoi zërat për një përafrim të mundshëm mes VV-së dhe AAK-së.

E, lidhur me këto zhvillime, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar profesorin e njohur, për të komentuar këtë situatë.

Njohësi i çështjes politike profesor Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se për shkak të dëshirës së madhe të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të ardhur në krye të shtetit, ky i fundit është në gjendje të përkulet para Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe para Listës Serbe.

Mehazi konsideron se dëshira e madhe e Haradinajt, e ka verbuar si mendjen e tij, po ashtu edhe arsyen.

Image
Sulejman Mehazi

“Dëshira e flaktë e Ramush Haradinajt për t’u bërë president do ta detyrojë jo që t’i përkulet Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe Listës Serbe. Pasionet e tij të flakta e karrieriste për president ia kanë verbuar mendjen e arsyen Haradinajt sa që i gjori, seriozisht e me të vërtetë mendon se do bëhet president me 13 deputetët e tij. Aq është i zëshëm e kryeneç ndaj postit të presidentit sa që 13 deputetët e tij i duken si me qenë 30 deputetët e LVV-së, e 29 të LDK-së”, ka thënë profesori Mehazi.

Tutje, analisti Mehazi shprehet se të gjithë këto përpjekje nga ana e Haradinajt janë të kota, për shkak se ai do ta ketë të pamundur të vije në krye të presidencës.

“Prandaj, të kota janë përpjekjet e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, për president për shkak se këtë luks nuk do t’ia mundësojnë partitë tjera me më shumë deputetë: LVV-ja, LDK-ja e PDK-ja, sepse edhe ato i kanë llogaritë e pazaret e tyre për këtë post të lartë shtetëror, sidomos Isa Mustafa, po edhe Albin Kurti kurrsesi nuk do pajtohej që Haradinaj të bëhet president, përkundrazi Albini do i shpreh revanshizëm politik”, shprehet ai.

Mehazi në fund thekson se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk do t’ia plotësojë kurrë këtë merak partisë së Haradinajt, e cila, sipas tij, ishte më e zëshmja gjatë mocionit të Qeverisë së Kurtit.

“Më në fund Haradinaj do pikëllohet e do mbetet vetëm me pasionet e dëshirat e zjarrta për president e asgjë më shume. Edhe pse mundohet të pajtojë Albin Kurtin për të votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për të, po Albin Kurti kurrë nuk do t’ia plotësojë këtë merak partisë së Haradinajt e cila ishte më e zëshme gjatë mocionit të Qeverisë së Kurtit. Albin Kurti të keqen e Haradinajt do ta sulmojë me të keqe, e kurrsesi me të mirë”, tha krejt në fund, profesori dhe njëherit njohësi i çështjeve politike në vend, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat