Si nisi përplasja e madhe Vjosa Osmani-LDK? “Do ta mallkojë buka e LDK-së, njeri falso” –ja cili nga nënkryetarët e zbuloi qëllimin e Osmanit?

Politika

Si nisi përplasja e madhe Vjosa Osmani-LDK? “Do ta mallkojë buka e LDK-së, njeri falso” –ja cili nga nënkryetarët e zbuloi qëllimin e Osmanit?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 dhjetor 2020 Në ora: 08:09
Agim Veliu, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani

Gjithçka filloi nga intervista e u.d presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhënë në televizionin publik, raporton gazeta “Bota sot”.

E, pas kësaj nuk u kursye asgjë. Akuzat nga më të rëndat u thanë nga të dyja krahët. “Hipokrite, egoiste, manipulante”, ishin këto disa nga epitetet e lëshuara gjatë ditës së djeshme.

Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit ka deklaruar se është pikërisht ajo që përfaqëson votuesit e kësaj partie. Osmani doli e dyta në zgjedhje, pas Albin Kurtit

Osmani u shpreh se ish partia e saj nuk mbajti premtimet, dhe se e vetmja gjë e rëndësishme për lidershipin aktual të partisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, është qëndrimi në pushtet.

“Kjo ka qenë zgjidhje e LDK-së apo logos që për momentin e kanë njerëzit që janë në lidership, por votuesin e LDK-së dihet që e përfaqësoj unë dhe po ashtu parimet mbi të cilat kemi garuar në zgjedhjet e fundit i përfaqësoj unë dhe shumë kolegë të mi, sepse ne kemi dalë dhe kemi garuar me një platformë të caktuar, me premtime të caktuara dhe që të gjitha ato fjalë që i kemi dhënë i kemi mbajtur. Të njëjtat qëndrime që i kam mbajtur para tetorit ato të njëjtat qëndroj edhe sot prandaj edhe me besim të plotë e them se e përfaqësoj votuesit e njëjtë”, tha Osmani.

“Hipokrite, egoiste, manipulonte dhe njeri falso”

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ishte një ndër të parët që reagoi zëshëm ndaj deklaratave të Vjosa Osmanit.

Gecaj dje u shpreh se Vjosa Osmanin do ta mallkojë “buka e LDK-së”.

Sipas tij, kryekuyvendarja Osmani është hipokrite, egoiste, manipulante dhe njeri falso që “ecë mbi kokat e njerëzve”.

“Është fatkeqësi që në skenën tonë politike tanimë janë etabluar vrasës, kriminelë, hajna, psikopatë, mashtrues e maskarenj, por edhe individë të pandërgjegjshëm, të pandershëm, të pabesë e bukëpërmbysës si Vjosa Osmani. Vjosa është një hipokrite, egoiste, manipulante, fund e krye falso dhe, mbi të gjitha, një person që për interesin e sajë është në gjendje “të ecë mbi kokat e njerëzve”, mu ashtu siç manipuloi mbrëmë aq pandershëm edhe me mikun e shqiptarëve William Walker”, tha ndër tjerash Gecaj.

Përgjigjet e Agim Veliut drejtuar Vjosa Osmanit: Në këtë pozitë ka ardhur pa merita - ka qëndruar për interesa personale

Një përgjigje të fortë Vjosa Osmanit i ka dhënë edhe Agim Veliu, aktualisht ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Hoti.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka thënë që si Vjosa Osmani kanë menduar edhe shumë njerëz të tjerë që kanë tentuar që ta shkatërrojnë këtë parti.

Madje, nënkryetari Veliu shkoi edhe më tej duke thënë që Osmani në LDK ka qëndruar vetëm për interesa personale.

“Edhe tjerë para Vjosa Osmanit kanë menduar që LDK-së i ka mbetur vetëm logoja dhe kanë dashur që ta shkatërrojnë gjatë gjithë kohës por nuk ia kanë arritur. Sigurisht që nuk ka qenë kurrë në zemrën e Vjosës LDK-ja. Vjosa në LDK ka qëndruar vetëm për interesa dhe tash sigurisht që këto interesa i ka lidhur me dikë tjetër dhe nuk i duket më interesant LDK-ja”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Kundërpërgjigja krejt në fund e Isa Mustafës

E, krejt në fund, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u është kundërpërgjigjur deklaratave të Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

Mustafa i rikujtoi Osmanit se i kanë humbur zgjedhjet e 6 tetorit dhe se pozitat aktuale që i mban sot i ka falë politikës dhe lidershipit të LDK-së, meqë kishte kushtëzuar Kurtin që t’a shkarkonte Konjfucën dhe ta propozonin Osmanin për kryekuvendare.

“Lista zgjedhore, në të gjitha zgjedhjet ka qenë e LDK-së, me logo të LDK-së, e përkrahur nga të gjitha strukturat e partisë dhe e votuar nga anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së. Të gjitha pozitat që i mbajnë njerëzit e LDK-së janë rezultat i politikave të LDK-së. Zgjedhjet e vitit të kaluar nuk janë fituar. I kemi humbur. Sipas këtyre rezultateve, qytetarët e kanë votuar Vjosën vetëm për deputete”, u shpreh Mustafa.

Ish-kryeministri dhe i pari i LDK-së tha se të dyja pozitat që sot i mban Vjosa Osmani, pra atë të kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentit, janë si rezultat i politikave të partisë dhe vetë Mustafës si kryetar, e jo si rezultat i votave.

Kujtojmë se që nga dalja publike e Vjosa Osmanit kundër themelimit të Qeverisë Hoti, nisi edhe përplasja e madhe me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më 20 qershor, me propozim të kryetarit Isa Mustafa, LDK e shkarkoi Osmanin nga posti i zëvendëskryetares dhe në vend të saj emëroi Avdullah Hotin. Procesi i shkarkimit u bë përmes votimit me postë elektronike.

Shkarkimi i Osmanit u argumentua për “qëndrime të hapura kundër partisë”. Ajo bashkë me deputetët Haxhi Avdyli nuk votuan “pro” rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit, duke ndezur një valë kritikash kundrejt saj.

Osmani ishte kandidatja zyrtare e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Ajo aktualisht mban detyrën e kryetares së parlamentit, dhe u.d presidentit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat