Ambasadori rus: Do të shtohen presionet mbi Serbinë

Politika

Ambasadori rus: Do të shtohen presionet mbi Serbinë

Nga: B.S. Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 12:03
Aleksandar Bocan-Kharçenko

Ambasadori rus në Beograd Aleksandar Bocan-Kharçenko ka thënë se mendon se do të shtohet presioni mbi Serbisë që t'i vë sanksione Rusisë dhe të hyjë në NATO sepse, sipas tij, "nuk u pëlqen të gjithëve politika e pavarur e Beogradit".

Në një intervistë për Veçernje Novosti, ai thotë se Serbia, në sajë të linjës së saj të matur, ruan stabilitetin socio-ekonomik, zbaton projekte të mëdha të infrastrukturës dhe forcon kapacitetet e saj mbrojtëse.

Bocan-Kharçenko i ka vlerësuar si "të papërshtatshme" pretendimet se përbërja e Qeverisë së re e Serbisë është pro-amerikane dhe ka shtuar se Serbia sot zbaton një politikë të jashtme të ekuilibruar shumë-drejtimesh, që merr plotësisht parasysh interesat kombëtare.

"Ne mirëpresim angazhimin konstruktiv të udhëheqjes së vendit për të thelluar partneritetin strategjik ruso-serb. Kjo konfirmohet nga takimet me presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Bërnabiq dhe ministrat, si dhe bisedimet e suksesshme më 8 dhjetor në Moskë midis bashkë-kryetarëve të komitetit ndërqeveritar Yuri Borisov dhe Nenad Popoviq", ka thënë ai.

Në pyetjen se a do të ketë presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ai thotë  se bashkëpunimi midis Rusisë dhe Serbisë nuk drejtohet kundër lojtarëve të tjerë dhe bazohet në parimet e transparencës, konkurrencës së ndershme dhe respektit verbal të pakushtëzuar.

Si një nga shembujt e "konkurrencës së pandershme", ai përmend kërcënimet ndaj Serbisë me sanksione nga qarqe të caktuara në Shtetet e Bashkuara nëse vazhdon të blejë armë ruse dhe thekson se bashkëpunimi ruso-serb po zhvillohet në mënyrë rigoroze brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar dhe mbi bazën e partneritetit.

I pyetur nëse Serbia mund t’i besojë vetos së Rusisë, nëse vihet në dyshim çështja e anëtarësimit të Kosovës në KB, ambasadori rus tha se Rusia do të vazhdojë të përpiqet për respektimin rigoroz të ligjit ndërkombëtar, të sigurojë mbështetje parimore për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë si në KB , ashtu dhe në forume të tjera shumëpalëshe.

Duke komentuar nëse paralajmërimi i ndryshimeve në Marrëveshjen e Dejtonit fsheh dëshirë për centralizimin dhe shfuqizimin e Republikës Sërpska, Bocan-Kharçenko thotë se marrëveshja është themeli i BeH-së moderne.

"U bëjmë thirrje partnerëve të huaj që t'i përmbahen në mënyrë rigoroze strategjisë së përgjegjësisë lokale, sipas së cilës palët në BeH marrin vendime për të gjitha çështjet. Respektimi i Dejtonit është çelësi i suksesit të stabilizimit në BeH. Përpjekjet për ta rishikuar atë, përkundrazi, largohen nga ajo detyrë themelore." tha ai.

Rreth vizitës së ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd, ai thotë se është planifikuar një shqyrtim i hollësishëm i të gjithë kompleksit të marrëdhënieve ruso-serbe, për të krahasuar pikëpamjet mbi temat aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, duke theksuar situatën në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Bocan-Kharchenko shton se do të shqyrtohet edhe mundësia e vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat