Jusuf Buxhovi propozohet për President

Politika

Jusuf Buxhovi propozohet për President

Nga: A.Z Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 20:12
Jusuf Buxhovi

Ish-gazetari i RTK-së, Fahri Musliu, pas debatit të krijuar lidhur me pozitën e presidentit, ka propozuar që këtë pozitë ta mbajë politikanja serbe, Rada Trajkoviq.

Musliu ka thënë se Trajkoviq është zgjidhje kompromise për këtë çështje, dhe se zgjedhja e saj do të kishte edhe një efekt dhe jehonë jashtë Kosovës.

Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta, kështu edhe analisti politik, Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pas vdekjes së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, Kosova është shndërruar në absurditet duke përjashtuar çdo lloj norme dhe kriteri të domosdoshëm për një shoqëri normale, gjë që sipas tij fillon nga Parlamenti që shumica dërmuese e deputetëve janë persona gjysmë analfabetë.

“Jeta e shthurur politike sidomos pas vdekjes së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, i ka shndërruar absurditetet në zakonshmëri duke përjashtuar çdo lloj norme dhe kriteri të domosdoshëm për një shoqëri minimalisht normale! Kosova e ka humbur këtë normalitet dhe tash, të gjithë e kanë mirë dhe njëkohësisht askush nuk e ka mirë! Kjo gjendje fillon nga Parlamenti ku pjesa dërmuese e deputetëve janë persona depresivë, të padijshëm dhe gjysmë analfabetë”, tha ai.

Tutje Zogaj gjendjen e tanishme e ka quajtur si gjendje tragjiko-komike që ndodh në ekranet televizive, me analistë të cilët flasin por që nuk e dinë as vetë se çfarë thonë. Si dëshmi e këtij kaosi thotë se është debati për zgjedhjen e presidentit të ri, me që rast është i pritshëm edhe çdo lloj propozimi.

“E njëjta gjendje tragjiko-komike ndodh nëpër ekranet TV me analistë-trumcakë, që flasin e as vet nuk dinë se çfarë thonë, sepse, paraprakisht janë të derivuar për të bërë shumë zhurmë për asgjë! Leri pastaj histerikët politikë që për qëllime përfitimesh, prodhojnë mjegull për ta lehtësuar gjuetinë e shtrigave! Dëshmi e këtij kaosi është edhe debati për zgjedhjen e presidentit të ri, që është bërë "mollë sherri" sepse dy milion kosovarët i kanë pesë milion propozime! Në një kësi situate, çdo lloj propozimi është i pritshëm" tha ai.

Ai më tej ka thënë se Fahri Musliu nuk është personalitet i kompromiseve, prandaj edhe një propozim i tillë është i lejueshëm dhe demokratik, sepse jemi mësuar me kompromise të dhimbshme.

Zogaj ka dhënë një propozim për presidentin e ri, sipas tij, historiani dhe veprimtari Jusuf Buxhovi do të ishte një figurë e duhur për aspiratë shtetërore dhe politike të Kosovës.

“Nuk jam i njohur me propozimin e gazetarit dhe publicistit të mirënjohur Fahri Musliut, por, nëse e ka theksuar Rada Trajkoviçin për presidente, është propozim i lejueshëm dhe demokratik, sepse jemi mësuar me kompromise të dhimbshme! Fahri Musliu nuk është personalitet i kompromiseve, prandaj po ma merr mendja se kësaj here e ka pasur parasysh fjalën popullore "si është vendi, i tillë kuvendi"!!! Duke qenë këtu ku jemi, si koleg i Fahri Musliut, edhe unë e kam një propozim, si zgjidhje kompromisi, e ky është gazetari, publicisti, shkrimtari, historiani dhe veprimtari Jusuf Buxhovi, që mendoj se di të ishte një figurë e duhur për aspiratë shtetërore, politike dhe diplomatike të Kosovës", përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat