Burjani zbulon çfarë po kalkulon PDK-ja për Ligjin e Speciales

Politika

Burjani zbulon çfarë po kalkulon PDK-ja për Ligjin e Speciales

Nga: A.SH Më: 8 nëntor 2026 Në ora: 10:05
Grupi Parlamentar i PDK-së në Kuvendin e Kosovës

Procesi për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale vazhdon të mbetet i pasigurt, pasi çështja është rikthyer në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim të sërishëm, pas veprimeve të presidentes.

Deputetët pritet të vendosin për hapat e mëtejmë, ndërsa çdo vendim për miratimin e ndryshimeve kërkon së paku 61 vota, në përputhje me nenin 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse do të sigurohet numri i nevojshëm i votave dhe nëse propozimet do të marrin dritën jeshile në Kuvend.

Juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar mundësinë e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke thënë se PDK-ja mund të jetë duke shqyrtuar përshtatjen e tyre me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Sipas Burjanit, prapa skenës mund të jenë duke u zhvilluar diskutime për këtë çështje, ndërsa mbetet të shihet nëse do të arrihet pajtimi me BE-në.

Ai vlerëson se miratimi i një ligji pa marrëveshje me Bashkimin Evropian mund ta vështirësojë zbatimin e tij në praktikë.

“Për mendimin tim, PDK-ja po kalkulon dhe po shikon se si t’i përshtatë ndryshimet edhe me kërkesat e BE-së. Diçka në fshehtësi po zhvillohet. Tash, a arrijnë ta bindin BE-në, do ta shohim. Përndryshe, ligji si i tillë dhe i njëanshëm është i pamundur të zbatohet. Mirë është të aprovohet ligji, mirëpo askush nuk garanton se do të merret kush me të, më së paku BE-ja, nëse nuk arrihet një marrëveshje”, u shpreh Burjani.

Juristi theksoi se për zbatimin e ndryshimeve është i nevojshëm edhe pajtimi i Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar se në të kundërtën ligji mund të mbetet vetëm i miratuar në letër.

“Pra, për ndryshimet duhet të pajtohet edhe BE-ja, nëse duan ta zbatojnë. Nëse jo, mund ta aprovojnë dhe ta lënë në sirtar të Kuvendit si suvenir të rrallë, që nuk e gjen ekspozitën e vet. Pra, ligj jo për ekspozitë, por për zbatim efektiv. Besoj se pa problem e miratojnë, por hallin e kanë te BE-ja”, përfundoi Burjani në prononcimin për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat