Në një prononcim për gazetën Bota Sot, eksperti austriak Gunther Fehlinger e cilëson dialogun politikisht të vdekur dhe kërkon që ai të ndërpritet në formatin aktual. Sipas tij, pas 15 vjetësh negociatash, marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, procesi nuk ka arritur objektivin kryesor: njohjen reciproke dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve.
“Dialogu Kosovë–Serbi është politikisht i vdekur. Ai duhet të ndërpritet në formën e tij aktuale”, shprehet Fehlinger, duke argumentuar se negociatat e nisura në vitin 2011, takimet e vazhdueshme diplomatike dhe marrëveshjet e arritura nuk kanë prodhuar një marrëveshje përfundimtare.
Ai pranon se dialogu ka sjellë disa marrëveshje praktike, por vlerëson se ka dështuar në qëllimin kryesor politik. Sipas tij, Bashkimi Evropian, në mënyrë të përsëritur, i ka dhënë përparësi përshtatjes së politikave të tij me Beogradin, në vend që të ndërtonte një kornizë të qëndrueshme mbi bazën e pavarësisë dhe sovranitetit të barabartë të Kosovës.
“Kosovës i është kërkuar të bëjë lëshime, ndërsa Serbia ka vazhduar të pengojë njohjen e saj ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, deklaron ai.
Fehlinger thekson se Bashkimi Evropian duhet të kërkojë zbatimin e të gjitha zotimeve të marra, përfshirë garancitë për komunitetin serb në Kosovë, por paralajmëron se përsëritja e të njëjtit proces politik nuk do të sjellë domosdoshmërisht një rezultat tjetër.
Duke folur për zhvillimet e fundit politike në Serbi, Fehlinger i kushton vëmendje të veçantë fitores së Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026. Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë, kjo listë fitoi 140 ulëse me 2.354.417 vota, ndërsa lista e Aleksandar Vuçiqit mori 103 ulëse me 1.731.323 vota.
Ai e cilëson këtë rezultat si ndryshim të rëndësishëm demokratik, por paralajmëron se nuk duhet ngatërruar me një transformim të menjëhershëm gjeopolitik të Serbisë.
“Fitorja historike e studentëve krijon njëkohësisht mundësi dhe rrezik”, thotë Fehlinger, duke vënë në dukje se Lista Studentore do të përballet me presion të madh nacionalist. Sipas tij, programi i saj vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, ruan neutralitetin ushtarak të Serbisë dhe kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Për këtë arsye, ai shprehet skeptik se ndryshimi i shumicës parlamentare në Serbi do të sjellë menjëherë njohjen e Kosovës apo lëshime të rëndësishme nga Beogradi. Fehlinger vlerëson se edhe pas humbjes në zgjedhje, Vuçiqi vazhdon të ketë një bazë të konsiderueshme elektorale, e cila mund të ushtrojë presion mbi udhëheqjen e re.
Në këtë kontekst, ai shpreh shqetësimin se Bashkimi Evropian mund të përsërisë, sipas tij, gabimet e së kaluarës, duke e përqendruar politikën e tij te ndryshimet në Serbi dhe duke lënë anash interesat e Kosovës.
“Frika ime më e madhe është se Brukseli do t'i sakrifikojë sërish interesat e Kosovës për të mbështetur ndryshimin politik në Serbi”, deklaron ai.
Fehlinger thekson se mbështetja e demokracisë në Serbi është e rëndësishme, por sipas tij, kjo nuk duhet të nënkuptojë pranimin e një vetoje të vazhdueshme të Beogradit mbi të ardhmen e Kosovës. Ai propozon që muajt e ardhshëm të shfrytëzohen për iniciativa diplomatike dhe hapa konkretë drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të rajonit.
Një nga kërkesat kryesore të tij është që Kosovës t'i jepet menjëherë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai kujton se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka marrë këtë status.
“Është e papranueshme që Kosova të mbahet peng nga kalendari zgjedhor apo preferencat politike të Beogradit”, shprehet Fehlinger, duke kërkuar që pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Ai vendos si objektiv edhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian deri në vitin 2029.
Propozimi tjetër i tij lidhet me anëtarësimin e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës në NATO në vitin 2027. Fehlinger e cilëson këtë si shtyllën kryesore të strategjisë së tij për sigurinë e rajonit, duke argumentuar se anëtarësimi në Aleancë do të krijonte garanci kolektive të sigurisë dhe do të zvogëlonte hapësirën për kërcënime ushtarake dhe destabilizim.
Megjithatë, ai pranon se për realizimin e këtij propozimi nevojitet pajtimi i të gjithë aleatëve të NATO-s, përgatitje institucionale dhe tejkalimi i qëndrimeve kundërshtuese të disa shteteve anëtare ndaj Kosovës.
Një ide tjetër që Fehlinger e paraqet si pjesë të strategjisë së tij është njohja e Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina, në këmbim të një pakete të rëndësishme të integrimit ekonomik evropian për këtë të fundit. Konkretisht, ai propozon që njohja e Kosovës të lidhet me një rrugë të mbështetur nga institucionet evropiane për adoptimin e euros në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 2027.
Ai thekson se marka konvertibile e Bosnjës tashmë është e lidhur me euron përmes mekanizmit të bordit monetar, me kursin 1.95583 marka për një euro. Sipas tij, kjo e bën vendin ekonomikisht më afër sistemit monetar evropian sesa mund të duket në shikim të parë.
“Euroja nuk është vetëm një valutë. Ajo është instrument i integrimit ekonomik evropian dhe i stabilitetit afatgjatë”, argumenton Fehlinger, duke propozuar një marrëveshje të negociuar me institucionet evropiane, në përputhje me kushtet ligjore, financiare dhe institucionale.
Ai ndalet edhe te ndikimi i zhvillimeve politike në Serbi në raportet brenda Bosnjë-Hercegovinës, veçanërisht te pozicioni i Milorad Dodikut dhe aleatëve të tij në Republika Srpska. Sipas Fehlingerit, humbja zgjedhore e Vuçiqit mund të dobësojë rrjetin politik që ka mbështetur kundërshtimin ndaj disa vendimeve në Bosnjë, ndonëse ai pranon se pengesat institucionale për njohjen e Kosovës nuk janë zhdukur.
Për këtë arsye, ai kërkon që Bashkimi Evropian të nxisë institucionet kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës që të diskutojnë njohjen e Kosovës dhe të ofrojë stimuj ekonomikë për këtë hap.
Në pjesën tjetër të prononcimit, Fehlinger kërkon që Serbia të mbahet përgjegjëse për zotimet e saj ndërkombëtare dhe të bashkëpunojë plotësisht në hetimin dhe llogaridhënien për sulmin në Banjskë të shtatorit 2023, përfshirë rolin e Milan Radoiçiqit.
Ai propozon që procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE dhe përfitimet financiare evropiane të kushtëzohen me respektimin e obligimeve ndërkombëtare, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe normalizimin e raporteve me Kosovën.
Megjithatë, Fehlinger thekson se edhe Kosova duhet t'i përmbushë obligimet e saj në fushën e të drejtave të komuniteteve, sundimit të ligjit dhe rregullimeve për komunitetin serb. Por, sipas tij, këto mekanizma duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës dhe nuk duhet të krijojnë një autoritet paralel që mund ta bllokojë funksionimin e shtetit.
“Objektivi duhet të jetë barazia e të drejtave, përgjegjësia e barabartë dhe paqja e qëndrueshme, jo një varg i pafund lëshimesh të reja politike”, thekson ai.
Fehlinger, i cili është kryetar i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s, kërkon që Austria të marrë rol më aktiv në këtë strategji dhe të angazhohet për statusin e kandidatit të Kosovës në BE, zgjerimin e NATO-s drejt Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe për paketën e propozuar ekonomike për Bosnjën.
Ai kërkon gjithashtu koordinim më të ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe angazhim konstruktiv me Listën Studentore në Serbi për reformat demokratike, por pa paqartësi sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe sovranitetit të Bosnjë-Hercegovinës.
Në përfundim, Fehlinger përsërit se dialogu në formatin aktual e ka shteruar, sipas tij, dobishmërinë politike dhe se rajonit i nevojitet një qasje e re, e përqendruar te integrimi evropian dhe siguria.
“Ne nuk duhet të presim që Serbia të ndryshojë përpara se të integrojmë Kosovën dhe Bosnjën. Ne duhet t'i integrojmë Kosovën dhe Bosnjën për të ndihmuar në krijimin e kushteve për një ndryshim të vërtetë në Serbi”, përfundon Fehlinger.