E ardhmja e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Gjykatën Speciale mbetet e paqartë, pasi pas kthimit nga Presidentja, çështja i është rikthyer Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim.
Tashmë u takon deputetëve të vendosin për procedimin e mëtejmë, ndërsa miratimi i ndryshimeve kërkon së paku 61 vota, në përputhje me nenin 80, paragrafin 4, të Kushtetutës së Kosovës.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të sigurohet shumica e nevojshme për miratimin e këtyre ndryshimeve.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj në një përgjigje për “Bota sot”, ka sqaruar procedurën që ndiqet pas kthimit të një ligji nga Presidentja, duke theksuar se ligji nuk rrëzohet automatikisht dhe as nuk kthehet në pikën zero.
Sipas tij, Kuvendi e rishqyrton ligjin dhe për miratimin e tij sërish nevojiten së paku 61 vota të deputetëve.
“Kthimi i ligjit nga Presidentja nuk e rrëzon automatikisht ligjin dhe as nuk e kthen procedurën në pikën zero. Kushtetuta i jep Presidentes të drejtën që, brenda afatit kushtetues, ta kthejë ligjin vetëm një herë në Kuvend dhe, në këtë rast, ajo duhet t'i paraqesë arsyet konkrete për kthimin. Pas kësaj, ligji i rikthehet Kuvendit për rishqyrtim.
Sipas nenit 84 të Rregullores, Kryetari i Kuvendit duhet t'ia dërgojë menjëherë ligjin Komisionit përgjegjës-raportues dhe deputetëve. Komisioni ka deri në katër javë për ta përgatitur raportin për seancë plenare. Pastaj Kuvendi vendos për ligjin e kthyer. Për ta përmbysur veton e Presidentes duhen së paku 61 vota. Nëse sigurohen 61 vota, ligji konsiderohet i shpallur; nëse nuk sigurohen, sipas Rregullores, konsiderohet se nuk ka ligj.
Ligji nuk rikthehet në procedurën e zakonshme nga fillimi, pra nuk kemi përsëri inicim të projektligjit, lexim të parë dhe gjithë procedurën që është zhvilluar para miratimit të tij. Kushtetuta parasheh një procedurë të posaçme për ligjin e kthyer nga Presidentja” – u shpreh ai.
Ai ka theksuar se ligji i kthyer nga Presidentja shqyrtohet fillimisht nga komisioni përkatës dhe më pas vendoset në seancë plenare, ku nevojiten së paku 61 vota për miratimin e tij.
Sipas Miftarajt, deputetët kanë të drejtë të insistojnë në tekstin e mëparshëm të ligjit, duke përmbysur kështu veton e Presidentes. Ai ka shtuar se arsyetimi i Presidentes është thelbësor për të kuptuar vërejtjet ndaj ligjit.
“Kryetari i Kuvendit ia përcjell ligjin Komisionit përgjegjës-raportues, i cili i shqyrton arsyet e kthimit dhe përgatit raportin për seancën plenare brenda katër javësh. Në fund, çështja vendoset në seancë. Këtu standardi i votimit është më i lartë sesa gjatë miratimit të zakonshëm të një ligji: nuk mjafton shumica e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, por kërkohen së paku 61 vota, pra shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nese nuk ekziston kjo shumicë atehere ligji nuk hyn në fuqi.
Kthimi është një kompetencë kushtetuese e Presidentes për t'i kërkuar Kuvendit që ta rishqyrtojë një ligj. Për të kuptuar nëse vërejtjet kanë të bëjnë me procedurën e miratimit, me përmbajtjen e ligjit, me pajtueshmërinë e tij me Kushtetutën apo me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duhet parë arsyetimi konkret i Presidentes.
Kushtetuta ua jep deputetëve mundësinë që ta miratojnë përsëri ligjin edhe pasi Presidentja e ka kthyer. Nëse së paku 61 deputetë votojnë për të, vetoja përmbyset dhe ligji konsiderohet i shpallur. Pra, juridikisht ekziston mundësia që Kuvendi të insistojë në tekstin që e ka miratuar më parë” – përfundoi ai.