Zhvatje me fonde/ Kelmendi: Ja puçi i Hashim Thaçit, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës që i bën LPK-së dhe UÇK-së në vitin 1998

Politika

Zhvatje me fonde/ Kelmendi: Ja puçi i Hashim Thaçit, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës që i bën LPK-së dhe UÇK-së në vitin 1998

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 dhjetor 2020 Në ora: 17:33
Thaçi, Veseli, Haliti dhe Syla

20 milionë euro të taksapaguesve pritet të shpenzohen për mbështetje financiare të personave të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Tashmë avokatët e liderëve të UÇK-së të akuzuar nga Prokuroria Speciale, kanë dërguar kërkesa për pagesa nga shteti i Kosovës.

Mirëpo, siç duket milionat e ndarë nga Qeveria e Kosovës nuk po i mjaftojnë të akuzuarve të Speciales për të i paguar avokatët e tyre. Pasi që tani ka filluar edhe krijimi i fondacioneve në Kosovë për mbrojtjen e tyre.

Tani, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit u janë hapur fondacionet për mbështetje financiare lidhur me avokatët e tyre.

Ndaj hapjes së këtyre fondacioneve kishte reagime të shumta. Disa prej tyre i përkrahen dhe i vlerësuan si të arsyeshme hapjen e tyre.

Mirëpo, ishin të shumta reagime të cilat i kundërshtuan fondacionet, pasi sipas tyre po tentohet të zhvaten qytetarët në emër të UÇK-së.

Njohës të çështjeve politike e kushtetuese bënë thirrje të mos përkrahen këto fondacione.

Haziri: Nuk duhet të paguajmë për ata që na zhvatën për 20 vite në emër të UÇK-së

Analisti politik, Nexhat Haziri, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, themelimin e fondeve për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së e sheh si qëllim të zhvatjes së qytetarëve të vendit dhe mërgatës duke u thirrur në patriotizëm të shpifur.

Image
Nexhat Haziri

“E kam thënë edhe më parë se themelimi i këtyre të ashtuquajturave fonde për mbrojtje juridike të të akuzuarëve nga Gjykata Speciale në Hagë, ka për qëllim zhvatjen në mënyrë perfide të qytetarëve të Kosovës , por edhe atyre në mërgatë në emër të një patriotizmi të shpifur”, deklaroi Haziri.

Ai e përmendi edhe një arsye tjetër të formimit të këtyre fondeve, që sipas tij po tentohet të pastrohen paratë e të akuzuarave që kanë përfituar në mënyrë kriminale që nga pas lufta.

“Këto fondacione kanë edhe për qëllim pastrimin e parave të të akuzuarve të cilët kanë përfituar në mënyrë kriminale gjatë kohës sa kanë mbajtur poste të larta shtetërore në Kosovë”, u shpreh Haziri.

Analisti bëri apel tek qytetarët të mos bien pre e fushatave turbo-patriotike që lansojnë njerëzit e afërt të Thacit, Veseli, Selimit apo të tjerëve të akuzuar nga Gjykata Speciale.

“Qytetarët nuk duhet të bien pre e fushatave turbo-patriotike që lansojnë njerëzit e afërt të Thacit, Veseli, Selimit apo të tjerëve të akuzuar nga Gjykata Speciale. Pasi me parat tona nuk duhet t’i mbrojmë krimet asnjërit, nuk duhet t’i mbrojmë nga drejtësia atë që ka urdhëruar vrasjen e kol. Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Smajl Hajdarajt, Ismail Berbatovcit, Shefki Popovës e shumë përsonaliteteve të tjera, por edhe të viktimave të tjera, pamarrë parasyshë nacionalitetin e tyre”, theksoi Haziri.

Në fund, ai deklaroi se as qytetarët dhe as Kosova nuk iu kanë borxh të akuzuarve nga Gjykata Speciale për të dhëne para për mbrojtjen e krimeve të tyre. Haziri potencoi se 20 milionë të ndara nga shteti për mbrojtjen e tyre janë të panevojshme, pasi ata në emër të çlirimtarëve e kanë zhvatur Kosovën për 20 vite

“Krejt për fund, as Kosova e as qytetarët e saj nuk iu kanë asgjë borxh Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit, Mustafës dhe të tjerëve që priten të akuzohen nga Gjykata Speciale, për të dhënë para dhe për ti mbrojtur nga krimet e tyre. Edhe ato 20 milionë të ndara nga buxheti i shtetit janë të panevojshme dhe të tepërta. Secili duhet të përgjigjet dhe të paguaj për krimet e veta. Të lartë përmendurit e kan zhvatur Kosovën për 20 vite në emër gjoja të “clirimtarëve”, pse tani duhet serish ne të paguajm për ta”, përfundoi Haziri.

Kelmendi: Fshehja pas avokatëve, po e dëmton imazhin e UÇK-së

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi shumën e ndarë të qeverisë për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, formimin e fondacioneve Thaçi e Veseli dhe numrit të lartë të avokatëve të ish-presidentit Thaçi.

Kelmendi tha se me formimin e fondacioneve po kuptohet pse Thaçi mori pesë avokatë ndër më të suksesshmit në shumë shtete të ndryshme. Ai tha se nuk po i mjaftojnë paratë e ndara nga Qeveria se mëditja e këtyre avokatëve deri në 50 mijë euro.

Image
Muhamet Kelmendi

“Tash po dihet pse Thaçi ka marrë 5 avokatë. Ata vijnë nga shtetet e ndryshme dhe i takojnë plejadës së avokatëve me të suksesshëm dhe të kushtueshëm. Pas ngritjes së aktakuzës dhe arrestimit të Thaçit dhe të tjerëve nga Gjykata Speciale shteti për avokatë ndau shuma të mëdha të mjeteve. Mirëpo, këto mjete të shtetit nuk po dalin! Avokatët e Thaçit kalojnë shifra të mëdha. Ata nuk bëhen avokatë kur mëditja është 500 a 1000 Euro. Shumat e tyre shkojnë për mëditje deri në 50 mijë euro”, deklaroi Kelmendi.

Njohësi i çështjeve kushtetuese tha se këto fondacione po formohen për ndihma ndaj avoktëve të të akuzuarve. Ai përmendi veçanërisht Thaçin i cili ka një numër të lartë të avokatëve.

Kelmendi tha më mirë të vetëmbrohen se të mbrohen nga kaq shumë avokatë, sepse heshtja e tyre është mjet individual i mbrojtjes por jo edhe i UÇK-së.

“Kjo gjendje, ndoshta më e butë, është edhe te Veseli, te Selimi e te Krasniqi. Të gjithë këta morën avokatë. Por, ajo që e kalon normalitetin, janë 5 avokatët e Thaçit Për ata duhen mjete të mëdha. Dhe, në këtë drejtim, nga vëllai i Thaçit u hapë Fondacioni për Thaçin, kuptohet për të tubuar ndihma për avokatët e tij. Kështu kanë bërë edhe më herët të akuzuarit e ndryshëm në Dene Hagë, por nga gjendja që është, shtrohet çështja, pse 3, 4 a 5 avokatë? Në gjendjen që është mbrojtja më e mirë është vetëmbrojtja. Ashtu do të tregohej karakteri çlirimtar i UÇK-së dhe do të kundërshtoheshin me çdo mënyrë pretendime e Prokurorisë së kësaj gjykate. Heshtja është mjet individual i mbrojtjes, formë që me atë nuk mbrohen UÇK. Këtë e kemi parë edhe më herët”, nënvizoi Kelmendi.

Kelmendi i bëri apel Thaçit të mos frikësohet dhe fshihet pas avokatëve të tij dhe qëndrimi i tij se "nuk di", "nuk isha aty", "nuk luftova fare", "s'ka pasur strukturë komanduese"etj , nuk janë mënyra të duhura për një udhëheqës së UÇK-së.

“Thaçi e ka marrë pozitën e drejtorit politik të UÇK-së. Dhe, nga ajo pozitë i takon të del në ballë të UÇK-së dhe të tregoj me fakte karakterin çlirimtar. Nuk duhet të fshihet pas avokatëve. Qëndrimi se "nuk di", "nuk isha aty", "nuk luftova fare", "s'ka pasur strukturë komanduese"etj , nuk janë mjete adekuate për një udhëheqës të Drejtorisë Politike të UÇK-së. Thaçi duhet këtu të marrë detyrën e mbrojtësit dhe sqaruesit të UÇK-së

Këtu nuk duhet të frikësohet Thaçi!”, tha ai.

Sipas Kelmendit në vitin 1998, Thaçi vetëm për të u bërë vetë i madh, për të fituar pozitë, së bashku me Xhavitin e Azemin kanë bërë puq ndaj UÇK-së dhe LPK-së.

“Ai ka bërë çmos në vitet 1996-1998 për të shkatërruar tërë strukturën e LPK-së dhe të UÇK-së për tu bërë i madh. Dhe këtë e arritën në mars-maj të vitit 1998 me trupin ilegal të ndërtuar me Xhavitin, Azemin etj., të bëjnë puq. Aty u shkatërrua tërësisht struktura e UÇK-së dhe e LPK-së. Atëherë luftonte për pozitë dhe tash duhet të dali në ballë. Nuk është njerëzore të shfrytëzohen të gjitha të mirat që ia sjelli UÇK pas luftës dhe kur duhet të mbrohen të iki kështu nga përgjegjësia”, u shpreh Kelmendi.

Në fund, ai tha se Hashim Thaçi duhet të qëndroj në Gjykatën Speciale dhe ta mbroj UÇK-në, sepse çdo ikje nga akuzat është e dëmshme për historinë e Ushtrisë Çlirimtare.

“Thaçi duhet të qëndroj në Gjykatë aktiv, të deklarohet dhe të mbroj UÇK-në. Çdo ikje është e dëmshme. Akuzat janë monstruoze dhe kundër tyre duhet marrë qëndrime. Askund nuk duhet të implikohet UÇK. Kjo, për faktin se nuk ka bërë vepra kriminale, individët le të përgjigjen është detyrim. Do të ishte e pafalshme heshtja. Populli kurrë nuk do ia falë askujt heshtjen kundruall akuzave monstruoze të bëra nga Prokuroria. UÇK kërkon mbrojtje”, përfundoi Kelmendi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat