Tomë Gashi: Ka ardhur koha e Albin Kurtit

Politika

Tomë Gashi: Ka ardhur koha e Albin Kurtit

Nga: G.B Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 14:32
Albin Kurti dhe Tomë Gashi

Prej kohësh opozita kërkonte që vendi të shkonte në zgjedhje.

E zgjedhjet u përmendën edhe nga partitë në pushtet, pasi nuk po arrinin të gjenin konsensus për postin e presidentit.

Tashmë edhe u.d e presidentit Vjosa Osmani ka mbajtur takimet me përfaqësuesit e partive politike dhe pritet që të caktohet data e zgjedhjeve.

Partitë kanë deklaruar se zgjedhjet duhet të mbahen në fillim të muajit shkurt.

Lidhur me gjithë këtë, avokati Tomë Gashi, thotë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur në mënyrë të pavarur edhe pse me vonesë për votën e deputetit Etem Arifit dhe se kjo vonesë është humbje kohe shumë e vlefshme për qytetarët e Kosovës, të cilëve u vodh vullneti.

“Gjykata Kushtetuese për arsye të ditura shumë më lirshëm dhe në mënyrën më të pavarur edhe pse me vonesë ka vendosur lidhur me kërkesën e LVV-së për ta shpallur votën e ish deputetit Etem Arifi të paligjshme, i cili e votoi qeverinë Hoti me 03 qershor 2020. Vonesa prej 7 muajve është humbje kohe tepër e vlefshme për qytetarët e RKS duke u udhëhequr nga një qeveri jo legjitime, antikushtetuese, e cila e vodhi vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës të 06 tetorit 2019 duke e kthyer Kosovën nga qeveria Kurti që ishte qeveria e shpresës, se gjërat do të ndryshojnë për të mirë 20 vite pas çlirimit”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, qeveria e dëshpërimit, qeveria Hoti në të cilën u bashkuan të gjithë ata që e shfrytëzuan Kosovën si të ishte pronë e tyre, i lanë pa perspektivë qytetarët që 20 vite.

“Në qeveri të dëshpërimit të quajtur qeveria Hoti në të cilën u bashkuan të gjithë ata që ishin po të njëjtët që për 20 vite Kosovën e shndërruan dhe e shfrytëzuan sikur të ishte pronë e tyre private dhe i lanë pa perspektivë qytetarët të cilët për dy decenie i votuan duke ëndërruar se ata edhe mund të sjellin ndryshime në të mirë të vendit”, ka vlerësuar avokati.

Gashi shton se të gjithë e dinë se VV do të fitojë edhe po të bashkohen të gjitha partitë bashkë, sipas tij tani ka ardhur koha e Albin Kurtit dhe kushdo që nuk e kupton këtë realitet, po jeton në ëndrrat e së kaluarës.

“Tanimë të gjithë e dinë se zgjedhjet e ardhshme bindshëm do t’i fitojë LVV dhe me çfarëdo lloj matematikash-kombinime, edhe nëse të gjitha partitë tjera bëhen bashkë, prapë do të humbin, dhe kanë mundësinë të zgjedhin sa a duan të humbin një nga një apo të gjitha së bashku. Tani ka ardhur koha e LVV-së, ka ardhur koha e Albin Kurtit dhe të gjithë Albinave të tjerë, e që janë shumë në Kosovë dhe kushdo që nuk do që ta kuptojë këtë realitet, thjeshtë është duke jetuar në ëndrra të së kaluarës, e cila kurrë nuk do të kthehet dhe të cilën askush nuk e dëshiron”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat