Zgjedhjet afër, juristi jep parashikimin: Kjo do të jetë partia që do t’i fitojë zgjedhjet – paralajmëron edhe një koalicion

Politika

Zgjedhjet afër, juristi jep parashikimin: Kjo do të jetë partia që do t’i fitojë zgjedhjet – paralajmëron edhe një koalicion

Nga: G.B Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 18:07
Foto ilustrim “Bota sot”

Brenda vitit 2019 në Kosovë janë formuar e rrëzuar dy qeveri.

U mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme por ato do të mbahen shumë shpejt, me të filluar viti i ri.

Edhe pse ende nuk është caktuar ende data e mbajtjes së zgjedhjeve, partitë janë deklaruar që ato të mbahen në fillim të muajit shkurt.

Tashmë kanë filluar edhe sondazhet dhe parashikimet për fituesin dhe renditjen e partive.

Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se renditja e partive do të bëhet sipas listës së KQZ-së me tërheqje të shortit dhe për këtë ende nuk ka të dhëna të bollshme lidhur me strukturën e listave zgjedhore, derisa thotë se asnjë parti nuk do të korr sukses e vetme.

“Renditja e partive politike në zgjedhje sipas listës së KQZ bëhet me tërheqje të shortit. Kjo edhe nuk ka rëndësi kundruall përcaktimeve politike të partive dhe të kandidatëve që i paraqet subjekti. Në këtë drejtim nuk ka të dhëna të bollshme lidhur me strukturën e listave zgjedhore. Shume varet nga kandidati i partisë për kryeministër të vendit. Natyrisht se subjektet politike mund të bëjnë koalicione parazgjedhore dhe kjo e krijon një gjendje krejt të re me aktualitetin që e kemi tash. Nëse mbështetemi në aktualitet nuk del asnjë parti që mund të korr sukses që vetëm për vetëm, pa koalicion, të ndërtojë pushtetin”, është shprehur ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas Kelmendit, me siguri që do të ketë koalicione mes partive, derisa thotë se VV do të jetë e para, pastaj do të ketë konkurrencë edhe nga PDK e LDK e pas tyre vjen AAK.

“Pavarësisht se kush pas zgjedhjeve do të dalë në vendin e parë, me siguri bëhen koalicione midis subjektive. Kjo për faktin se nuk do të arrin asnjë subjekt 51%. Tash dihen dy grupe të subjekteve që i takojnë Qeverisë. Minoriteti serb dhe minoritetet tjera, si turqit, romët, ashkalinjtë etj. Nga forcat politike shqiptare pritet që VV të jetë e para. Por, do të ketë edhe këtu konkurrencë nga partitë tjera politike. PDK dhe LDK janë mjaft të forta. Pas këtyre vjen subjekti politik i AAK-së”, ka vlerësuar profesori.

Ai shton se renditja do të jetë si në vitin 2019 dhe nuk do të ketë shumë ndryshim.

“Mendohet se radhitja do të jetë si në zgjedhjet e fundit të vitit 2019. Këtu nuk ka pësuar ndryshime të fortë gjendja. Kur përmendi këtë radhitje nuk mbështetem tek vullneti i subjekteve politike, por te gjendja që është në vend. E radhitja e subjekteve nuk do të kalojë shumë nga njeri-tjetri subjekt. Ndërsa, asnjë parti nuk mendoj se do të arrin në 40 %. Megjithatë mbetet të shihen gjërat në zgjedhjet që po vijnë”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat