“Shkëlqimi i Vjosës mbaroi”

Politika

“Shkëlqimi i Vjosës mbaroi”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 dhjetor 2020 Në ora: 16:02
Vjosa Osmani

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke shpallur të pavlefshme votën e ish-deputetit Etem Arifi.

Andaj edhe Vjosa Osmani e përjashtuar nga strukturat e LDK-së, ka vendosur të garojë me një Listë të vet në këto zgjedhje.

Tashmë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur largimet, duke aderuar në Inciativën e Osmanit.

Ditë më parë është raportuar se, pesë asambleistë të LDK-së në Ferizaj e kanë braktisur subjektin e tyre për t’iu bashkuar iniciativës së Vjosës.

fundi, Këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani, Faton Peci, ka thënë se 33 zyrtarë të LDK-së në Mitrovicë, u bashkuan në Iniciativë të Vjosa Osmanit.

Shahu: Shkëlqimi i Vjosës mbaroi, ajo i konsumoi me shpejtësi të gjitha pushtetet

Analisti Rexhep Shahu, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, Vjosa mund të marrë në grupin apo listën e saj të gjithë ata që nuk kanë qenë me LDK dhe kanë qëndruar në atë parti duke mos ia dhënë votën por kanë pritur çfarë mund të përfitojnë.

Image
Rexhep Shahu

“Lajmi më i fundit thotë se 33 zyrtarë të LDK në Mitrovicë i janë bashkuar Listës apo Iniciativës së Vjosa Osmanit që aktualisht mban çelë derën e Presidencës së Kosovës dhe bën fushatë individuale për veten e saj që të mos mbetet në zall si peshku pa ujë as me LDK as me askënd.
Vjosa mund të marrë në grupin apo listën e saj të gjithë ata që nuk kanë qenë me LDK dhe kanë qëndruar në atë parti duke mos ia dhënë votën por kanë pritur çfarë mund të përfitojnë. Sepse ata që nuk shohin nga interesi i ngushtë personal me marrë një përfitim direkt, një post a një karrierë nga LDK, ata nuk i ikin LDK-së në asnjë rrethanë edhe për shkak të mirënjohjes ndaj kësaj partie që ka bërë shtetin e Kosovës edhe në kohë pushtimi, ka bërë shtetin paralel dhe aktualisht ka bërë edhe shtetin e lirë që ka sot Kosova. Po thuhet se disa ish-themelues te LDK-së të ndjellë nga Vjosa, kërkojnë LDK e tyre jo këtë ekzistuesen dhe për ta gjetë rendin pas Vjosës e cila u premton karrierë pasi ta bëjnë të parën. Vjosa ngutet dhe është në kulmin e veprimtarisë së saj që të mos mbetet në zall pasi ekziston frika e madhe që ajo të mos hyjë në parlament nëse nuk bën marrëveshje me LDK. Nëse bën marrëveshje me VV ajo besoj e din se VV me gjithë fuqinë e saj punon kundër njerëzve që kanë influencë pasi VV i do të gjithë për vete e nuk i dalin. Njerzit e VV nuk ngopen edhe sikur të kenë gjithë pushtetin që ka edhe Amerika” ka thënë Shahu.

Sipas tij, shkëlqimi i Vjosës ka mbaruar, ajo i konsumoi me shpejtësi të gjitha pushtetet, ose dy postet më te larta të vendit, dhe sipas Shahut kaq ishte e gjithë historia.

Duke shtuar se, ajo që e don domosdo pushtetin dhe LDK-në më shumë se sa e pati është Vjosa Osmani, e cila o e para o hiq.

“Shkëlqimi i Vjosës mbaroi, ajo i konsumoi me shpejtësi të gjitha pushtetet, ose dy postet më te larta të vendit. Dhe kaq ishte e gjithë historia. Nga nxitimi dhe etja per pushtet, shau kalin. Kali dëgjoi dhe u zemërua sa nuk e lë me ta shaloj Vjosa. Të gjithë të deshpëruarit LDK-në e kërkojnë, LDK për ta shaluar, që LDK t'u shërbejë, t'ua plotesojë pritshmëritë e karrierës. Aq shumë e kanë dashtë LDK-në sa kanë ikë prej saj dhe ia kanë lënë Isa Mustafës. Natyrisht, nuk është e lehtë përballja dhe një e ikur është shtatë trimni. Vjosa thotë se LDK ekziston falë asaj, LDK-ja si Vjosa ka nxjerrë dhjetëra ani se nuk i din Vjosa. Ajo që e don domosdo pushtetin dhe LDK-në më shumë se sa e pati është Vjosa Osmani e cila o e parë o hiq, nuk mundet ndryshe. Po të jetë e pare sillet si e parë, kur është e dyteënuk di të sillet. Sa u bë dezhurn në presidence, vrapoi për një shfaqje në Tiranë për vëmendje ose e gënjeu ndokush e i tha se pushteti në Prishtinë kalon nga Tirana. Pushteti në Prishtinë ose kalon nga Amerika nëse duhet të kalojë nga diku”, shprehet Shahu.

Ai ka kritikuar edhe vizitën e Osmanit në Tiranë, duke thënë se, ishte artificiale, ajo nuk tha asgjë të re dhe nuk iu kujtuan as të vjetrat, nuk i kishte mbet gjë asaj për tu thënë.

“Në Tiranë Vjosa nuk tha asgjë të re dhe nuk iu kujtuan as të vjetrat. Të gjitha që i kerkoi kishin ndodhë me kohë, ishin sterthënë, nuk i kishte mbetë gjë asaj për tu thënë. Po të vinte në Tiranë si kryetare e Kuvendit të Kosovës, me axhendë si kryetare kuvendi, po të kishte folë ndonjë fjalë në Prishtinë a kudo si kryetare kuvendi nga ato qortime të vona që i kanë stërthënë të tjerët e që tha si zëvendësuese e përkohshme apo dezhurn në presidencën e Kosovës, do te ishte ndryshe. U përkrah nga mediat që duan audiencë pa ditë fare se kush është para kamerës. U përkrah me masë nga opozita të cilës i pelqën çdo qortim që mund t'ia bëjë ndokush qeverisë. Vizita e Vjosës ishte artificiale, nuk ngjau e natyrshme. Si një garë me Albinin që ka vetëm profesionin e demagogut dhe donte të flinte në studio televizive vjet në Tiranë për t'ia mbushë mendjen Tiranës se është i zoti, ose për t’u treguar enveristëve të Tiranës se po bëhem i dobishëm”, shprehet tutje Shahu.

Shahu thotë se LDK duhet t’i thërrasë në skenë gjigantët e saj, figurat emblematike që i ka në Kosovë që i ka mënjanuar Isa me mjeshtri por që kanë autoritet tek qytetarët, ti thërrasë që të ngrenë peshë qyetarët për hir të Kosovës.

“Unë e kam menduar dhe ende e mendoj se LDK do ta ketë Vjosën dhe do të duhet të bashkëpunojë me Vetëvendosjen por me kontratë strikte. Nga fjalët që po derdhen si tamli në zjarr shihet se nuk ka asnjë urë. Ka ura nëse askush nuk shkon t’i tregojë tjetrit në shtëpi të vet se çfarë duhet të bëjë.
Ka ura nëse LDK që është më shumë se të gjitha partitë e tjera bashkë ndërgjegje e Kosovës, përjashto aksidentet për shkak të shpejtesisë sketerre për karrierë si Vjosa, thërret e duhet të thërrasë në skenë gjigantët e saj, figurat emblematike që i ka në Kosovë që i ka mënjanuar Isa me mjeshtri por që kanë autoritet tek qytetarët, ti thërrasë që të ngrenë peshë qyetarët për hir të Kosovës që po shkon zvarre dhe rrezikon të provojë enverizmin e Shqiperisë përmes Albinit ose rishtarëve që u duket tango e një nate qeverisja e Kosovës”, përfundon Shahu.

Zogaj: “Kalimtarët” nga një parti në tjetrën janë të lidhur me fatin e vendit, por jo, si disa matrapazë eskurzionistë për të përfituar ndonjë penez

Image
Skënder Zogaj

Edhe analisti Skënder Zogaj për “Bota sot” thotë se, kjo është e drejtë demokratike, sovrane dhe e vullnetit plotësisht të lirë që askush nuk ka të drejtë t'ia mohojë askujt.

Por sipas tij, motivet e të gjithë “kalimtarëve” nga një parti në tjetrën janë të lidhura me fatin e vendit dhe të popullit që ndodhet në krizë të thellë, e jo siç jemi mësuar me disa matrapazë eskurzionistë që, saherë ka zgjedhje të reja enden nga partia në parti për të përfituar ndonjë penez!

“Çështja e përcaktimit të dëshirës dhe përcaktimit të adhurimit partiak është e drejtë demokratike, sovrane dhe e vullnetit plotësisht të lirë që askush nuk ka të drejtē t'ia mohojë askujt! Kjo vlenë edhe për 33 zyrtarët e LDK-s në Mitrovicë të cilët, padyshim që e kanë arsyen e tyre që kanë vendosur ta lënë LDK-n dhe t'i bashkohen Iniciativës së Vjosa Osmanit, e cila është një figurë e rëndësishme në skenën politike të Kosovës! Unë dua të besoj se motivet e të gjithë "kalimtarëve" nga një parti në tjetrën janë të lidhura me fatin e vendit dhe të popullit që ndodhet në krizë të thellë, e jo siç jemi mësuar me disa matrapazë eskurzionistë që, saherë ka zgjedhje të reja enden nga partia në parti për të përfituar ndonjë penez”, shprehet Zogaj.

Më tej thekson se, rezultatet e dobëta të LDK-istave të Mitrovicës, të cilët ka vite që fjalët i kanë si Agushi, por punët si askushi! Me fjalë nuk nxehet shtëpia.

“Përvoja ka tregu se të këtillët kanë dështuar të koritun, sepse, partia është si feja, që nuk mund të ndryshohet nëse je hidhëruar me hoxhën, ose me disa myhybë të tij! Mirëpo, edhe me zor nuk rrihet, kështu që, mbetet të shihet se, cilat janë aspiratat e reja të 33 zyrtarëve të Mitrovicës!? Kam parasysh rezultatet e dobëta të LDK-istave tē Mitrovicës, të cilët ka vite që fjalët i kanë si Agushi, por punët si askushi! Me fjalë nuk nxehet shtëpia! Nëse këta zyrtarë kanë aderuar të Vjosa për ta ndihmuar, kanë bërë mirë dhe i urojmë, por nëse kanë vajtur për të mrizuar, është keq për ta, për Vjosën dhe për LDK-n, të cilën ikjet domosdo që e dobësojnë”, përfundon Zogaj.

Mehmeti: LDK-së po i shembet kalaja përbrenda

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti Faton Mehmeti ikjet nga LDK do të ndikojnë, por është e pakuptueshme që krerët e LDK janë krejtësisht indiferent derisa kalaja po u shembet nga brenda.

“Natyrisht se ikjet do të ndikojnë në LDK, përderisa ka vetëm largime dhe jo afrime është krejtësisht e kuptueshme që të ketë ndikim. Është e pakuptueshme që krerët e LDK janë krejtësisht indiferent derisa kalaja po u shembet nga brenda”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, këto ikje do të shihen në zgjedhje dhe do të jenë fatale për LDK-në.

“Këto ikje do të ndikojnë shumë, dhe në zgjedhje do të shihet shumë qartë se ikjet do të jenë fatale për LDK. Vjosa po e merrë kalanë nga brenda, me fatkeqëisnë që kryesia e LDK nuk po arrin ta kuptoj këtë gjë. Ditëve në vazhdim do të shihet edhe më shumë raste të ikjeve, të cilat cdo ditë do e rrënojnë partinë që drejtohet nga Isa Mustafa. Vjosa do e dëmtojë shumë LDK, në këto, zgjedhje LDK do pësojë debakël”, përfundon Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat